Lajme Shqip Monday, 04 July 2011 14:33

Hagë – Një gjykatës i OKB-së urdhëroi largimin e ish-komandantit të serbëve të Bosnjës nga gjykata, pasi që ai në vazhdimësi ndërpreu procedurat e seancës dëgjimore.

Mlladiq, i cili refuzoi avokatin e caktuar nga gjykata, refuzoi të deklarohej në lidhje me akuzat në seancën e sotme dëgjimore në Tribunalin e Hagës.

69-vjeçari akuzohet për krime lufte, të ndodhura në konfliktin e Bosnjës në vitet ’90-ta, përfshirë masakrën e Srebrenicës ku u vranë 8,000 burra dhe djem myslimanë.

Gjyqtari kryesues Alfons Orie, pasi ishte ndërprerë disa herë nga Mlladiqi, dhe pasi kërkoi disa herë që të mbante qetësinë, tha: “Z. Mlladiq. Gjykata ju urdhëron që ta lini dhomën e gjykatës”, tha gjykatësi Orie.

Gjykata pastaj në emër të Mlladiqit, ka deklaruar pafajësinë për 11 akuzat, përfshirë edhe atë për gjenocid. Ai më herët i ka quajtur akuzat si “të padurueshme” dhe “monstruoze”.