Lajme Shqip Wednesday, 29 August 2012 12:44

KIEV- Liderja e opozitës në Ukrainë do të vazhdojë të vuajë dënimin në burg. Gjykata e Lartë shqyrtoi sot padinë e depozituar nga avokatët e Timoshenkos e cila kundërshtonte dënimin për abuzim me detyrën.

Timoshkenko e cila aktualisht është në spital, u burgos tetorin e kaluar dhe u dënua nga gjykata me shtatë vite burg. Me vendimin e sotëm Gjykata e Lartë la në fuqi masën e marrë në shkallën më të ulët duke mos i dhënë të drejtë Timoshenkos.

Liderja e opozitës u dënua për një marrëveshje gazi të cilën e kishte firmosur me Rusinë e Vladimir Putinit në vitin 2009 kur ajo drejtonte shtetin. Timoshenko e ka cilësuar gjyqin dhe dënimin e saj si një sulm me prapavijë politike ndërsa Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka nisur shqyrtimin e çështjes së saj.

Në kohën kur Gjykata po përgatitej për të dhënë vendimin një numër prej 150 personazh ishin mbledhur në ambientet e jashtme të godinës në mbështetje të lideres së opozitës.

Pavarësisht se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë cilësuar Timoshenkon si një viktimë e drejtësisë selektive, Presidenti Viktor Janukovich ka refuzuar ta lirojë. Të premten e kaluar ai tha se nuk do të lejojë ndërhyrjet në punët e brendshme si një çmim që duhet paguar për negociatat e integrimit në Bashkimin Evropian. (LajmeShqip.com)