Lajme Shqip Thursday, 04 August 2011 14:10

Shkup – Partisë më të madhe maqedonase VMRO-DPMNE i kanosen turbulenca brendapartiake për shkak të qëndrimeve të ndryshme në radhët e kësaj partie ndaj çështjeve që kanë të bëjnë me shqiptarët.

Bazë për zhvillim të tillë të ngjarjeve shikohet fakti se figura kyçe të kësaj partie, si Vllatko Gjorçev dhe Antonio Milloshoski, nuk e kanë votuar ligjin për interpretim autentik të amnistisë, mëson portali Lajmeshqip.com.

Sipas analistëve, kuptohet se mund të ndodhin përçarje në VMRO-DPMNE për shkak të ndryshimeve të ligjeve që në këtë parti vlerësohen si lëshim ndaj shqiptarëve. “Fundja edhe vetë kryeministri Nikolla Gruevski u distancua nga interpretimi autentik i ligjit për amnisti, të cilin e ka nënshkruar zëvendëskryeministri Vasko Naumovski. Ai nuk e nënshkroi as vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, të cilin e nënshkroi Zv/kryeministri i atëhershëm Ivica Bocevski. Ky është stil konstant i sjelljes së Gruevskit ndaj çështjeve që kanë të bëjnë me shqiptarët. Ai pranon t’i zgjidhë këto çështje vetëm kur është nën presion dhe nuk ka rrugëdalje tjetër, por edhe atëherë gjen forma për t’u distancuar”, kanë thënë analistët.

Megjithatë ata nuk mendojnë se ky disponim negativ brenda VMRO-DPMNE-së ndaj avancimit të statusit të shqiptarëve, do të reflektohet negativisht në raportet brenda koalicionit VMRO-DPMNE – BDI.

“BDI e arriti qëllimin e vet, kurse Gruevski do t’i pastrojë kuadrat të cilët në katër vitet e ardhshme mund ta rrezikojnë pushtetin e tij absolut brenda partisë. Dihet se koalicioni VMRO-BDI është koalicion zori, e jo koalicion që preferojnë këto parti”, kanë thënë ata.

Paralajmërimet për përçarje të mundshme u paraqitën pas tërheqjes së Antonio Milloshoskit nga posti ministër i Punëve të Jashtme, tërheqjes së Martin Protugjerit nga posti i sekretarit të përgjithshëm partiak dhe zgjedhjes së përbërjes së re të Komitetit Ekzekutiv, jashtë të cilit mbeti  deputeti Vllatko Gjorçev.

Përndryshe, në partinë e Gruevskit, zyrtarisht, i kanë demantuar të gjitha informatat e paraqitura se brenda VMRO-DPMNE-së ekzistojnë përçarje. (LajmeShqip.com)