Lajme Shqip Thursday, 07 July 2011 08:10

Nikozi – Në Gjenevë sot do të mbahet takim mes sekretarit të përgjithshëm të KB-së, Ban Ki-mun, presidentit të Qipros Dimitris Hristofias dhe liderit të turqve qipriotë, Dervish Erogllu.

Në takimin e tretë me radhë në disa muajt e fundit, do të bëhet përpjekje që t’u jepet nxitje negociatave për zgjidhjen e problemit qipriot.

Hristofias shfaqi shpresë se takimi do të tregojë perspektiva më të mira gjatë procesit të negociatave për ishullin, përderisa Erogllu deklaroi  se nëse grekët qipriotë punojnë pa ndalë, është e mundur të gjendet një zgjidhje për problemin deri në fund të vitit 2011 ose më së voni deri në fund të muajit mars të vitit 2012.

Dy takimet e deritanishme në këtë format, në Nju Jork, në nëntor të vitit të kaluar dhe në Gjenevë në janar, si dhe bisedat e udhëhequra nën mbikëqyrje të KB-së nuk dhanë rezultat në arritjen e marrëveshjes për zgjidhje të problemit me Qipron e ndarë.

Organizata botërore, Uashingtoni, Londra dhe në një shkallë të lartë BE-ja i shtyjnë punët drejt marrëveshjes për Qipron deri në fund të këtij viti ose më së voni deri në pranverën e vitit 2012, me qëllim që problemi qipriot të zgjidhet para se Nikozia ta marrë kryesinë me Unionin në korrik të vitit të ardhshëm.