Lajme Shqip Saturday, 26 March 2011 13:13

Shkup – Në të ardhmen nuk duhet që çështja e emrit t’i lihet në dorë vetëm kryeministrit Nikolla Gruevski, por atij duhet t’i caktohet një afat racional për të zgjedhur emrin, me të cilin do të pagëzohej shteti.

Kjo është porosia e ekspertëve të politikës së jashtme, pas deklaratës ditë më parë të liderit të partisë VMRO-Popullore, Lubço Georgievski, i cili ka kërkuar nga të gjitha partitë politike para zgjedhjeve parlamentare të nënshkruajnë një deklaratë me anë të së cilës do të betohen para popullit se cilado prej tyre që të marrë pushtetin, kontestin e emrit me Greqinë do ta zgjidhë menjëherë.

Georgievski në kongresin e partisë VMRO-Popullore, ka akuzuar partinë në pushtet për kiç-patriotizëm me antikuzim të vendit, ndërsa sipas tij patriotizmi real është te ata që e integrojnë vendin në NATO dhe BE.

“Nuk është patriotizmi nëse ju sot në Maqedoni bëni përmendore të Aleksandrit 20 metra të gjatë, dhe kali 15 metër, e mbi të Aleksandrin, që më pas të shkoni në Kala e të shikoni se çka ka në shesh. Nuk është patriotizmi se sa kisha e xhami do të bëni në Maqedoni, tashmë nuk është patriotizmi që të rrahim gjoks se emrin nuk e japim nëse duhet edhe rrënjë do hamë. Përkundrazi, patriot dhe patriotizëm sot në fillim të shekullit XXI është ai që do e dërgon Maqedoninë në integrimet euroatlantike, që siguron NATO, BE dhe siguron mirëqenie ekonomike qytetarit të Maqedonisë”, ka thënë Georgievski.

Ai ka theksuar se nëse kontesti nuk mbyllet në katër vitet e fundit, vendit nuk i shkruhet mirë.

“Dhuratë të këtillë nuk kemi pasur asnjëherë, zgjidheni problemin e emrit, në javën e parë hyni në NATO dhe fitoni fillimin e bisedimeve me BE-në”, ka thënë Lubço Georgievski.

Nga ana tjetër, ekspertët politikë bëjnë me dije se situata faktike tregon mungesë të vullnetit politik për t’u marrë vesh dhe se ideja e deklaratës do të mbetet vetëm si e tillë.

“Ideja e tillë duhet të precizohet me atë se si do ta zgjidhnin problemin e jo vetëm të nënshkruajnë. Sepse edhe VMRO deklarohet se do ta zgjidh, edhe qytetarët e thjeshtë do të kishin nënshkruar një të tillë, por thelbi qëndron në atë që të qartësojë si do ta zgjidhin”, ka thënë analisti Albert Musliu.

Në linjë të njëjtë mendimi ka qëndruar edhe profesoresha Mirjana Malevska.

“Realisht, duke u bazuar në sjelljen e fundit të liderëve politikë, ata mezi komunikojnë ndërsa atmosfera është e rënduar, do të kisha thënë se nuk shoh tendenca për zgjidhje të çështjes së emrit. Nënshkrimi i një deklarate para zgjedhjeve nga partitë që do të dalin në to, e cila do të garantonte se do të zgjidhin kontestin nuk më duket diçka reale, sepse duke nisur nga partia në pushtet e më pas të tjerët vetëm deklarativisht shprehen se do të angazhohen të gjejnë zgjidhje”, ka thënë Malevska.

Teza e analistëve është se Qeveria aktuale është në pritje të konkluzioneve nga procesi i gjykimit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

“Tinëzisht Qeveria pret një vendim të gjykatës në dobi të Maqedonisë. Me vendim do të vërtetohej se Greqia ka ndaluar integrimin e Maqedonisë në NATO por me referencën IRJM. Por, atëherë a do të thotë se shteti ynë do të kërkojë anëtarësim në strukturat evro-atlantike me këtë referencë? Kjo për mua nuk është sukses”, është shprehur analisti Suad Misini.

Ndryshe, Qeveria e Gruevskit për kuazipatriotizëm u akuzua nga thuajse të gjitha partitë politike në vend pasi që u zbulua letra e Milloshoskit në të cilën e bind sekretarin gjeneral të KB-së, Ban Ki Mun për përkushtimin e Maqedonisë rreth kontestit të emrit duke pranuar propozimet e ndërmjetësit Nimiq.

Reagimet e partive të tjera ishin në drejtimin se para Samitit të Bukureshtit Maqedonia pa kompromis ka pranuar ndryshim të emrit ndërsa këtë nuk e ka bërë të ditur para popullatës. (Lajmeshqip.com)