Lajme Shqip Friday, 12 August 2011 20:37

Shkup – Ish-kryeministri Lupço Georgievski, duke folur për Marrëveshjen e Ohrit, për herë të parë ka pranuar se ka marrë injeksione për qetësim.

Sipas tij kjo ka ndodhur gjatë ngjarjeve të Karpallëkut, ku humbën jetën 10 pjesëtarë të forcave maqedonase të sigurisë, pra vetëm disa dita para nënshkrimin të Marrëveshjes së Ohrit.
“Po. Në ato momente unë isha në një situatë shumë të keqe, dhe mund t’u them se atëherë për herë të parë dhe të fundit kam marrë injeksione për qetësim”, ka thënë Georgievski, i cili atëherë kishte postin e kryeministrit të Maqedonisë.

Ai këtë deklaratë e shpalosi, mes tjerash, për filmin dokumentar “10>” Marrëveshja e Ohrit.
Lupço Georgievski, gjithashtu, thotë se nga distanca e sotme kohore, në negociatat në Ohër direkt duhej të merrte pjesë edhe UÇK. Ai, gjithashtu, shprehet se i vinte keq që nuk ndodhi shkëmbimi i territoreve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.
“Mendoj se shqiptarët në një Shqipëri të madhe, maqedonasit në një Maqedoni relativisht të pastër etnike, ku do të ishin 90 për qind pronar të Maqedonisë, do të vazhdonin me jetët e tyre dhe deri tani do të normalizoheshin gjurmët nga ai shkëmbim territoresh”, ka thënë Georgievski.
Por, kundër kësaj ideje është shprehur Ali Ahmeti, i cili ka thënë se kjo ka qenë frika e tij më e madhe. (LajmeShqip.com)