Lajme Shqip Sunday, 21 August 2011 09:15

Shkup – Ish-kryeministri dhe nënshkruesi i Marrëveshjes së Ohrit, Lubço Georgievski, ka thënë se populli maqedonas gjatë 10-vjeçarit të ardhshëm do të humb shumicën relative.

“Përqindja në rënie e fëmijëve maqedonas në klasat e para dhe përqindja e lindjeve tregon se populli maqedonas gjatë 10 viteve të ardhshme do të humb shumicën relative në Maqedoni. Marrëveshja e Ohrit nga aspekti i mbrojtjes së maqedonasve si pakicë e ardhshme në perspektivë, mendoj se është dokument shumë vizionar”, ka thënë Georgievski për mediat maqedonase në Shkup.

I pyetur për mospraninë në ceremoninë e shënimit të 10 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, ish-lideri i VMRO-DPMNE, Georgievski ka sqaruar se nuk kishte pranuar me kohë ftesën dhe ishte jashtë shtetit.

“Gjatë viteve të kaluara kur zyrtarisht shënohen përvjetorët e kësaj marrëveshje, mund të them se a kam pranuar dy herë ftesa për të marrë pjesë në këto takime, ashtu që edhe këtë vit nuk kam pritur se do të jem i ftuar. Organizatorët mund të ishin angazhuar që me kohë të dorëzonin ftesën dhe jo dy ditë para mbajtjes së konferencës. Sido që të jetë, edhe po të isha këtej, do të merrja pjesë në shënimin e këtij evenimenti”, ka thënë Georgievski.

Lubço Georgievski është nënshkrues i Marrëveshjes më 13 gusht 2001, në cilësinë e liderit të asaj kohe të VMRO-DPMNE dhe si kryeministër i vendit. (LajmeShqip.com)