Lajme Shqip Saturday, 04 February 2012 15:30

New York – Të paktën 15 përqind e popullsisë në SHBA vlerësohet të jetë e varfër, që nënkupton se kush më shumë e kush më pak e përballon jetesën me mbështetjen e programeve sociale të qeverisë federale dhe që i kushtojnë buxhetit miliarda dollarë.

Një pjesë përfiton kupona ushqimi (food stamp) apo asistencë për strehimin, për kujdesin shëndetësor (Medicaid), mbështetje financiare për gazin dhe energjinë, etj, ose të gjitha së bashku. Krahas kësaj shtrese, asistencë sociale përfitojnë edhe qytetarët që kanë humbur vendet e punës. Këto kategori janë vetëm një pjesë e sistemit të përkrahjes sociale që administrohet nga qeveria federale.

Programe të tjera nuk lënë jashtë vëmendjes studentët, të moshuarit, familjet me shumë fëmijë, etj. Programet sociale të qeverisë federale, dedikuar për njerëzit në nevojë, ekzistojnë prej dekadash. Programe të tilla si ai i kuponave ushqimorë për të varfërit (food stamp) apo i kujdesit shëndetësor falas për të varfërit (Maidcaid) morrën zgjerim në vitet ’60 të shekullit të kaluar.

Por, përfituesit e tyre pothuajse janë dyfishuar nga viti 2007, kur ekonomia amerikane ra në recension me pasojë mbylljen e shumë sipërmarrjeve dhe humbjen e milionave vende të punës. Dyfishimi i numrit të përfituesve ka rritur barrën e shpenzimeve të qeverisë federale, duke ndikuar në një farë mënyre edhe në thellimin e deficitit federal.

Në një vit elektoral presidencial siç është 2012, programet sociale janë pjesë e debateve të kandidatëve republikanë që kërkojnë nominimin e partisë për të garuar me presidentin Barack Obama në zgjedhjet e nëntorit.

Kandidatët republikanë kritikojnë administratën Obama se nuk ishte në gjendje të rigjallëronte ekonominë dhe të hapte vende pune, duke rritur kështu numrin e personave që presin nga programet sociale. Programet “food stamp” dhe Maidcaid konsiderohen prej tyre si programe që nxisin kulturën e të qënit i varur, që e deprivon shoqërinë nga përgjegjësitë e saj.

Kandidati Newt Gingrich, ish-kryetar i dhomës së përfaqësuesve në Kongres, e ka ironizuar Obamën si “Presidentin më të mirë ‘food stamp’ në historinë e Amerikës”. Sepse në këto tre vite të presidencës Obama numri i personave që mbështeten tek programi “food stamp” për të siguruar ushqimin e përditshëm është rritur ndjeshëm, megjithëse me arsye siç përpiqet të mbrohet kampi demokrat.

Gingrich ka veçuar afrikano- amerikanët që, sipas tij, duhet të kërkojnë rrogë mujore dhe jo të kënaqen me tollonin ushqimor “food stamp”. Një deklaratë e tillë është komentuar si raciste, pasi sipas raportit të vitit 2010 të Departamentit të Agrokulturës 34 përqind e përfituesve të “food stamp” ishin të bardhë, 22 për qind ishin afrikano-amerikanë, 16 për qind hispanikë, 4 për qind amerikanë native dhe 3 për qind aziatikë.

Kandidati Mitt Romney, ish-guvernator i Masacusets, ka propozuar reformim të sistemit të përkrahjes sociale, që nënkupton shkurtimin e disa programeve dhe kalimin e disa të tjerave nga qeveria federale në administrim të qeverive të 50 shteteve amerikane.

Ai i mëshon idesë se fondet që harxhohen për “food stamp” apo Maidcaid mund të përdoren për programe të tjera më të efektshme, që mund të hapin mijëra vende pune. Nga ana tjetër, Romeny deklaroi së fundi në një intervistë për CCN se “jam i shqetësuar për klasën e mesme dhe jo për të varfërit pasi ata trajtohen nga një program social i sigurt”, një qëndrim inkoherent po të kihen parasysh thirrjet e tij për të shkurtuar dhe “copetuar” këto programe.

Demokratët kuptohet që janë kundër çdo lloj “prekje” te programeve sociale që administrohen nga qeveria federale, madje e shohin këtë çështje si një mundësi për të tërhequr sa më shumë elektorat në zgjedhjet e nëntorit.

Obama mund ta godasë në këtë pikë Mitt Romney, i cili deri tani është pretendenti favorit për të qenë kandidat presidencial. Për një multimilioner siç është Romney, deklarata “nuk jam i shqetësuar për të varfërit por për klasën e mesme”, mund të kthehet në një problem serioz. Sepse në mes të klasës së mesme që Romney deklaroi se është i fokusuar, llogariten të paktën 50 milion njerëz, sipas censusit të fundit, të cilët ndodhen tamam mbi kufirin e varfërisë. Në kushtet kur ekziston frika se ky kontigjent mund të bëhet pjesë e shtresës së varfër të popullsisë, demokratët thonë se nuk është koha për reformim por për monitorim.
                                                           ***********************
Kohë më parë kuponat ushqimore (food stamp) lëshoheshin për njerëzit që nuk kishin punë. Tani ato janë një mbështetje e madhe edhe për njerëzit që e kanë një punë, dhe ky është një ndryshim i madh. Nga ky program përfiton kushdo që plotëson disa kushte të të ardhurave.

Fjala vjen për një familje prej katër personash, duhet që të ardhurat neto në muaj të jenë më pak se dy mijë dollarë. Shpenzimet federale për këtë program janë pa limit, pra kush kualifikohet përfiton kuponin ushqimor mujor.

Vitin e kaluar, më shumë se 45 milion amerikanë përfituan nga ky program 75 miliard dollarë gjithsej, shifra më e lartë që nga rënia ekonomike e vitit 2008. Specialistë që janë marrë prej vitesh me programin e përkrahjes sociale (welfare) thonë se food stamp është një kolonë shumë popullore dhe shumë amerikanë nuk duan që ajo të preket.

Food stamp është programi më i mirë i mirëqënies për të gjithë ata njerëz që e gjejnë papritur veten të pazotë për të përballuar shpenzimet për ushqimin. Sipas tyre të pretendosh të rregullosh deficitin buxhetor me këtë program, pra duke prerë shpenzimet e asistencës ushqimore, do të thotë se të mungojnë të dyja dhembshuria dhe arsyeja…