Lajme Shqip Saturday, 19 March 2011 17:28

Tripoli – Udhëheqësi libian Moamer Gadafi sot i paralajmëroi vendet perëndimore që të mos ndërmarrin intervenim ushtarak ndaj Libisë, duke theksuar se një akt i tillë do të ishte “agresion i vërtetë”, njoftoi një përfaqësues qeveritar.

“Kjo është padrejtësi, ky është agresion i vërtetë”, e citon përfaqësuesi letrën e Gadafit dërguar Francës, Britanisë së Madhe dhe Kombeve të Bashkuara.

Në letrën e dërguar deri te presidenti francez Nikolla Sarkozi dhe kryeministri britanik Dejvid Kameron, dhe deri te sponsorët kryesor të Rezolutës së KB-së kundër Libisë, Gadafi thekson se ata do të pendohen për shkak të përzierjes në punët e brendshme të shtetit të tij.

“Populli libian është i gatshëm të vdesë për mua”, thekson Gadafi në letrën deri te Obama.

Gadafi i dërgoi mesazh edhe sekretarit të përgjithshëm të KB-së Ban Ki-Mun, duke theksuar se me Rezolutën kundër Libisë është shkelur Karta e KB-së dhe se ata “do të pendohen” nëse ndodh intervenim.

“Libia nuk është për ju, Libia është për libianët”, porositi Gadafi.