Lajme Shqip Friday, 26 August 2011 07:36

Tripoli – Lideri libian Moamer Gadafi u bëri dje thirrje të gjithë ithtarëve të tij që ta “pastrojnë” Tripolin nga kryengritësit, të cilët i quajti “minj, kryqtarë dhe jobesimtarë”.

Në një incizim të shkurtër audio, të kumtuar në televizione të cilat e mbështesin regjimin e tij, Gadafi u bëri thirrje fiseve libiane që ta sulmojnë Tripolin dhe t’i “largojnë spiunët e huaj” nga Libia.

“Libia është e popullit libian, e jo e spiunëve, jo e imperializmit, Francës, Sarkozit apo Italisë. Tripoli është i juaji, e jo i atyre të cilët i shërbejnë NATO-s. Duhet t’iu kundërvihemi minjve armiqësor, të cilët do të fitohen me luftë të armatosur”, theksoi Gadafi.

Paraprakisht, zëdhënësi i Gadafit, Musa Ibrahim deklaroi se lideri libian ndodhet në Tripoli dhe udhëheq me luftën kundër kryengritësve.

Ai theksoi se koloneli është gjallë dhe shëndosh, se është nëlëvizje të vazhdueshme dhe të gjithë anëtarët e familjes së tij janë mirë. Në bisedën telefonike Ibrahim shtoi se Gadafi “çdo ditë e udhëheq luftën për lirinë dhe pavarësinë tonë”, duke refuzuar ta zbulojë lokacionin e tij. Sipas zëdhënësit, forcat e Gadafit kontrollojnë një pjesë të madhe të kryeqytetit.

Ndërkohë, grupi ndërkombëtar i kontaktit për Libinë i bëri thirrje gadafit që të dorëzohet, me qëllimk që të parandalohen gjakderdhjet e mëtutjeshme.