Lajme Shqip Sunday, 24 July 2011 15:18

Shkup – “Të kushtëzohen ndihmat e SHBA-ve për Ish- Republikën Jugosllave Maqedoninë me gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në bisedime për kontestin e emrit me Greqinë, bisedime të cilat do të zhvillohen në pajtim me rezolutën 817 të Kombeve të Bashkuara”.

Kjo qëndron në dokumentin për miratimin e mjeteve të Departamentit të Shtetit për vitin fiskal 2012. Me propozimin për miratimin e ndihmës në dokumentin e Kongresit është kthyer edhe emri i përkohshëm i Maqedonisë, IRJM, edhe pse SHBA-të në vitin 2004 e kanë njohur këtë shtet me emrin kushtetues. Sipas dokumentit në fjalë, Kongresi amerikan pajtohet me qëndrimin e Greqisë që zgjidhja e kontestit të emrit me Maqedoninë të ishte një emër i ri i përbërë me përcaktim gjeografik dhe që të përdoret nga të gjithë si në marrëdhëniet dypalëshe ashtu edhe në nivel ndërkombëtar. Kjo do të sqaronte se Maqedonia nuk ka aspiratë territoriale për krahinën greke me emrin Maqedoni. Përdorimi i referencës në Kongresin amerikan ndodhi vetëm disa ditë pas mesazheve të ashpra të  Sekretares Amerikanë të Shtetit, Hillary Klinton gjatë qëndrimit të saj në Athinë, ku ajo porositi autoritetet e Shkupit se pa zgjidhjen e kontestit të emrit, nuk e sheh Maqedoninë as në NATO dhe as në Bashkim Evropian.

SHBA në vitin 2004 e njohu Maqedoninë me emrin e saj kushtetues Republika e Maqedonisë, duke shkaktuar reagime të ashpra nga pala greke.