Lajme Shqip Wednesday, 05 December 2012 09:27

BRUKSEL – Eurokomisioneri për zgjerim, Stefan Fyle, vlerëson progresin që ka bërë Shqipëria gjatë vitit që lamë pas, duke nënvizuar njëkohësisht domosdoshmërinë e përmbushjes së reformave të kërkuara, në mënyrë që vendi të ecë përpara në rrugën drejt integrimit europian.

Në një letër drejtuar Komisionit të Jashtëm të Senatit francez për politikën e zgjerimit të BE-së, eurokomisioneri Fyle nënvizon se “mbajtja e Shqipërisë ankoruar në perspektivën evropiane, mund të luajë një rol të rëndësishëm në konsolidimin e stabilitetit të saj politik dhe garantimin e vazhdimit të reformave nga politika shqiptare.” 

“Shqipëria ka bërë një progres domethënës gjatë vitit të kaluar, sidomos në marrëveshjen ndërpartiake për reformat e adresuara nga Bashkimi Evropian. Ne ende nuk po propozojmë hapjen e negociatave për anëtarësim, pasi dhënia e statusit të vendit kandidat duhet të sjellë edhe plotësimin e disa kushteve të tjera si, reforma zgjedhore dhe parlamentare. Duhet punë në prioritetet kryesore, duke përfshirë fushat e sundimit të ligjit, reformën e administratës publike dhe të drejtat themelore.”- thekson Fyle. 

Në këtë letër, Fyle informon Senatin francez mbi përparimin dhe ecurinë që kanë pasur vende si Shqipëria, Kroacia, Serbia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Herzegovina, Turqia, Qiproja dhe Islanda.(LajmeShqip.com)