Lajme Shqip Monday, 16 January 2012 15:00

Romë- Pronari i anijes italiane, që ka ngecur në rërë në brigjet e Italisë, duke vrarë të paktën pesë njerëz, tha se kapiteni mund të ketë bërë “gabime në drejtim”, që kanë shkaktuar pasoja serioze.

Në deklaratën e kompanisë “Costa Crociere” thuhet po ashtu se nuk janë ndjekur procedurat standarde për raste emergjente.

“Kompania do të mbetet në bashkëpunim të ngushtë me kapitenin dhe do t’ia sigurojë tërë ndihmën e nevojshme, por duhet t’i pranojmë faktet dhe nuk mund të demantojmë se bëhet fjalë për gabim njerëzor”, tha Foski në konferencën për shtyp në Xhenova.

Kapiteni i anijes, Françesko Shetino, është arrestuar nën akuzat për vrasje dhe braktisje të anijes së tij.

Incidenti ndodhi me 4.200 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit në bord.

Burimet zyrtare në Itali kanë konfirmuar se kanë gjetur trupin e një të mbyturi në rrënojat e anijes që ngeci në rërë në brigjet italiane.

Viktima e sotme çon në gjashtë numrin e të vrarëve të konfirmuar në tragjedinë në fjalë. Të paktën 15 persona vazhdojnë të mbesin të zhdukur.