Lajme Shqip Friday, 08 July 2011 14:38

Shkup – Partitë fituese në zgjedhjet e 5 qershorit, VMRO-DPMNE dhe BDI kanë arritur marrëveshjen e koalicionit, ndërsa ditëve të fundit janë finalizuar edhe pikat kontestuese të marrëveshjes, që do të jenë pjesë e platformës qeveritare, bëjnë të ditur burime partiake të Portalit Lajmeshqip.com.

Mandatari për formimin e qeverisë së re, Nikolla Gruevski në fillim të javës së ardhshme do të shpallë kabinetin qeveritar. Dy partitë VMRO-DPMNE dhe BDI kanë arritur marrëveshjen e koalicionit, ndërsa ditëve të fundit janë finalizuar edhe pikat kontestuese të marrëveshjes, që do të jenë pjesë e platformës qeveritare.

BDI, sonte, në Tetovë, pritet të vendos përfundimisht lidhur me kandidaturat për ministra dhe postet e tjera të larta qeveritare, ndërsa gjatë dy ditëve të ardhshme pritet publikimi i marrëveshjes së arritur midis dy partive, por edhe publikimi i emrave të ministrave.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti dhe mandatari Nikolla Gruevski, ditëve të fundit kanë finalizuar marrëveshjen e koalicionit dhe prioritetet e qeverisjes, por nuk jepen detaje se cilat janë pikat e partisë shqiptare që do të jenë pjesë e platformës qeveritare për periudhat afatshkurtra dhe afatmesme të bashkëqeverisjes.

BDI në kuadër të Qeverisë së re do të qeverisë me zëvendëskryeministrin për Marrëveshjen e Ohrit, zëvendëskryeministrin për euro-integrime, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Drejtësisë, Ekonomisë, Ambientit Jetësor, Pushtetit Lokal. Raporti i bashkëqeverisjes është 2:1 në favor të VMRO-DPMNE e cila me partitë e tjera të koalicionit do të udhëheq dikasteret e tjera. (LajmeShqip.com)