Lajme Shqip Monday, 21 November 2011 11:35

Shkup – Çështja rreth emrit duhet të zgjidhet një herë e për gjithmonë, sa më shpejtë aq më mirë, thekson ish shefi i diplomacisë italiane Franko Fratini në një deklaratë për Dojçe vele.

“Për këtë, me kapacitet të plotë kam punuar në kohën kur kam qenë ministër i Punëve të Jashtme, në periudhën e vështirë të kryesisë italiane me BE-në në vitin 2003. Më pas i kemi vazhduar diskutimet. Por, pa rezultat final. E thënë me sinqeritet, vlerësoj se të dyja palët, edhe Maqedonia edhe Greqia kanë interes të përbashkët të gjejnë zgjidhje”, deklaroi Fratini.

I pyetur nëse është e mundur zgjidhja e problemit me emrin të ndahet nga negociatat inkuadruese dhe dy proceset që të rrjedhin paralelisht të pavarura prej njëri-tjetrit, ai vlerëson se ky do të ishte opsion i mirë, por është e pamundur pasi nuk ka konsensus unanim në BE.

“Ky është problem dhe do të jetë derisa në politikën e jashtme të BE-së punët vendosen me konsensus. Do ta përsëris. Na duhet një Bashkim Evropian më shumë politik. Nëse ka më shumë vendime politike, do të mund të sillet edhe një vendim si ky. Derisa i përmbaheni parimit të unanimitetit, do të thotë se nuk do të ketë zgjidhje derisa nuk ka unanimitet. Edhe ky është problem i cili më tej i determinon drejtimet”, sqaron Fratini.

Megjithatë, thotë se është optimist dhe se mund të zgjidhet zgjidhje për problemin, i cili e bllokon eurointegrimin e Maqedonisë.

“Shpresoj se ndoshta momentet e vështira të krizës ekonomike do të reflektohen edhe mbi Greqinë, që të bëjë një hap lidhur me Maqedoninë, gjë e cila do të kontribuojë për heqjen nga tryeza e të paktën një çështjeje. Për momentin, në tryezë ka aq shumë çështje, prej të cilave të paktën njëra do të zgjidhej! Kjo do të ishte mirë për Evropën”, vlerëson Fratini i cili në qeverinë e re italiane nuk ka funksion ministror, por mbetet në politikë dhe, siç thekson, do të angazhohet për zgjidhjen e problemit të Maqedonisë. 

“Do të punoj me kapacitetin tim të plotë si anëtar i parlamentit italian. Do të mundohem ta përshpejtoj procesin. Mendoj se tani do të ishte momenti i vërtetë”, thekson Franko Fratini.