Lajme Shqip Tuesday, 13 December 2011 11:11

Romë-Duhet të kemi kujdes nga ekstremizmi në Serbi. Kështu deklaron ish ministri i jashtëm Italian Franko Fratini, në një intervistë për agjencinë italiane Nova.

Fratini përmend vendimin e liderevë të BE të premten e kaluar për të mos i dhënë statusin e vendit kandidat Serbisë duke thënë se ishin Austria dhe Gjermania ato që i vunë vulën këtij vendimi, në të cilin ndikuan tensionet e fundit në veri të Kosovës.

Fratini bën thirrje për kujdes ndaj ekstremistëve anti europian duke thënë se shtyrja e statusit kandidat do të favorizojë pikërisht ekstremistët serbë që kundërshtojnë hyrjen në BE.

“Skenari më i keq, që mund të imagjinohet është në Serbi, ku shtyrja e vendimit për të dhënë statusin e vendit kandidat mund të favorizojë ekstremistët që nuk duan anëtarësim në BE dhe nuk duan as intersin e Serbisë”-thotë Fratini në këtë intervistë.

Duke folur për integrimin e Ballkanit Perëndimor, ish ministri i jashtëm italian shprehet se lodhja e disa vendeve europiane po krijon shumë probleme në këtë drejtim duke theksuar se kur kërkohet më shumë, duhet të jesh i gatshëm të ofrosh më shumë. 

Sipas tij, është e nevojshme që të zhvillohet më shumë zyra e përfaqësueses së lartë të BE-së për ta shndërruar atë në një strukturë vërtet përfaqësuese të BE-së.

Sa i përket Shqipërisë, Fratini thotë se vendi ka nevojë për reforma dhe klima e re mes dy forcave kundërshtare, mazhorancës së kryeministrit Berisha dhe opozitës socialiste të Edi Ramës është për tu vlerësuar.

Sipas tij Shqipëria ka nevojë për reforma të përbashkëta duke nisur që nga mekanizmat e fortë të kontrollit të parlamentit, rregullat për të çrrënjosur korrupsionin brenda institucioneve publike dhe natyrisht reforma elektorale. (LajmeShqip.com)