Lajme Shqip Monday, 11 April 2011 15:48

Abixhan – Ushtarët francezë në përbërje të misionit paqwsor në Bregun e Fildishtë e arrestuan ish-presidentin e këtij shteti afrikan, Loran Gbagbo në rezidencën e tij në Abixhan dhe ia dorëzuan forcave të opozitës, deklaroi Tusen Alen, këshilltar i Gbabos në Paris.

Më shumë se 30 automjete të blinduara franceze sot janë vërejtur se si lëvizin drejt rezidencës së Gbabos në Abixhan, ndërsa në aksionin ka marrë pjesë edhe një helikopter ushtarak, konfirmoi një dëshmitar okular.

Alen theksoi se njësitet franceze kanë hyrë në rezidencën ku presidenti i deritanishëm i Bregut të Fildishtë është fshehur në bunker së bashku me anëtarë të familjes së tij.

Helikopterë të forcave të KB-së dhe Francës dje sulmuan forca ushtarake lojale të Gbabos, duke i shkaktuar dëm rezidencës presidenciale në Abixhan dhe shkattëruan armë të rënda.

Zëdhënësi ushtarak francez shtoi se operacioni i sotëm është zbatuar që të evitohen gjakderdhjet, por nuk zbuloi më shumë hollësi.

“Vendimi për pjesëmarrjen e ushtarëve francezë në operacionin e forcave të KB-së në Abixhan është miratuar nga presidenti Nikolla Sarkozi dhe në pajtim me rezolutën e Këshillit të Sigurimit”, deklaroi sot në Paris kryeministri francez Fransoa Fijon, duke shtuar se aksioni ka për qëllim që ta neutralizojë armën e rëndë, të cilën forcat e Gbabos e shfrytëzojnë kundër popullatës civile.

Sipas bashkësisë ndërkombëtare, në zgjedhjet e fundit në Bregun e Fildishtë për president u zgjodh Alasan Uatara, megjithatë Gbagbo refuzonte ta dorëzojë pushtetin.