Lajme Shqip Monday, 14 September 2015 17:58

Forcat e sigurisë në Egjipt kanë vrarë gabimisht 12 persona, përfshirë turistë meksikanë, gjatë një operacioni antiterrorist.

Ministria e Brendshme ka thënë se turistët kanë qenë duke udhëtuar me katër makina, që kanë hyrë në një zonë të kufizuar në rajonin Vahat.

“Incidenti ka ndodhur të dielën në një zonë që është jashtë kufijve për turistët e huaj”, thuhet në deklaratën e ministrisë, por nuk jepen detaje për lokacionin e saktë.

Dhjetë meksikanë dhe egjiptianë po ashtu janë plagosur dhe janë duke u trajtuar në një spital lokal.

Egjipti është duke luftuar militantët islamikë për vite të tëra.

Sulmet ndaj ushtrisë dhe policisë, sidomos në Gadishullin Sinai, janë përshkallëzuar prejse presidenti islamist, Mohammed Morsi, është rrëzuar nga pushteti në vitin 2013.

Presidenti i Meksikës, Enrique Pena Nieto, ka dënuar incidentin dhe ka thënë se ka kërkuar hetime gjithëpërfshirëse nga Qeveria egjiptiane.

Ministria e Jashtme e Meksikës ka konfirmuar se së paku dy shtetas të saj janë vrarë dhe ka thënë se është duke punuar për të konfirmuar identitetin e viktimave të tjera.