Lajme Shqip Friday, 03 August 2012 13:30

Athinë – Në një kohë kur përfaqësuesit e Treshes duket se kanë mbetur të kënaqur nga takimi i fundit me ministrin grek të Financave Stournaras dhe kanë filluar të besojnë në vullnetin e qeverisë greke për të menaxhuar krizën me masa të ashpra, revista gjermane “Focus” vazhdon të bëjë presion mbi Greqinë.

Këtë herë revista jep udhëzime dhe këshilla për turistët, rreth asaj se çfarë duhet të bëjnë nëse gjatë pushimeve të tyre në Greqi, vendi largohet nga zona euro. “Çfarë duhet të dinë turistët nëse Greqia del nga euro”, është titulli i shkrimit, ku autori beson se dështimi i Greqisë dhe kthimi i saj në dhrahmi, është gjithnjë e më i afërt.

“Turistët që vizitojnë Greqinë duhet të dinë se në një rast të tillë do të ketë pasoja dhe duhet të marrin parasysh disa këshilla”, thuhet në shkrim. “Greqia nuk ka për të gjetur qetësi. Ndërsa Athina vazhdon konsultimet me intensitet për paketën e re, Evropa tani është e hapur për një arsye të mundshme që t’i japë fund mbështetjes financiare të vendit. Ky skenar duket i frikshëm për shumë turistë, sidomos nëse futja e monedhës së re ndodh gjatë qëndrimit të tyre në vend”, thotë artikulli.

Një ekspert në ekonomi thotë se “nga konvertimi i monedhës, ndikimi i vetëm për turistët, është që nuk do të jenë në gjendje të tërheqin të holla me një kartë debiti të thjeshtë. Për këtë arsye, ata këshillohen të kenë me vete një sasi të mjaftueshme të parave më dorë”.

Sipas revistës, “dalja e Greqisë nga eurozona do të thotë zhvlerësim i monedhës kombëtare, që do të çojë në rritjen e çmimeve në vend kryesisht për produktet e importuara. Mund të kufizohet furnizimi me ushqim dhe pije në hotele si dhe me produkte vendase. Konvertimi i monedhës mund të sjellë trazira, demonstrata, greva deri një paralizë e përkohshme të jetës publike, veçanërisht në qytetet e mëdha”.

“Fokus” bën të ditur gjithashtu se Ministria e Jashtme gjermane këshillon turistët të informohen rregullisht në lidhje me situatën në Greqi. Dhe faqja “Të jetosh në Greqi”, të cilën e menaxhon një gazetar amerikan i cili jeton në këtë vend, rekomandohet nga Ministria e Jashtme si një burim informacioni”, vazhdon artikulli.

Revista iu referohet edhe operatorëve të mëdhenj turistikë, të cilët në ofertat e tyre e marrin parasysh kthimin eventual të Greqisë tek dhramia. “Neckermann Travel”, ose TUI, operatori më i madh turistik në Gjermani, këshillojnë vizitorët në Greqi të kenë më shumë para me vete”.

Megjithëse revista shënon shtatorin si momentin e kthimit të Greqisë në dhrahmi, auditorët e Treshes duken më të “qetë” dhe optimistë se kurrë. Ata shprehën publikisht besimin e tyre se pavarësisht vonesave, masat e kursimit të 11.5 miliardë euro, do të shpallen para raportit të tyre dhe sipas të dhënave, kjo mund të ndodhë ndoshta pikërisht në ditët e para të shtatorit dhe kësti i ndihmës të arrijë në Greqi në fillim të tetorit. (LajmeShqip.com)