Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 10:40

Moskë – Fushata parazgjedhore presidenciale në Rusi hyri në etapën e re pasi sot fillon votimi i parakohshëm, që organizohet në vendet e largëta dhe të vështira për qasje, në anije, stacionet polare, si dhe në disa vende jashtë Rusisë, transmetojnë mediat ruse.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor, votimi i parakohshëm do të mbahet në 36 subjekte të federatës, ku ka territore të vështira për qasje, apo praktikisht në tërë Lindjen e Largët, në disa rajone të Siberisë dhe Uralit, në territoret veriore.

Bëhet fjalë për numër jo të rëndësishëm apo pak më shumë se një përqind nga trupi votues.

Votimi i parakohshëm është një nga proçedurat më të vështira dhe të shtrenjta në çdo fushatë zgjedhore, vërejnë mediat ruse. Anëtarët e komisioneve zgjedhore shpesh herë shkojnë nëpër marshuta mjaft ekstreme, ndërsa ndonjëherë kalojnë edhe nga 18 orë në fluturime. Largësitë dhe i ftohti, veçanërisht në dimër si ky i këtij viti në Rusi, si dhe shpenzimet e transportit janë problemet themelore të zgjedhjeve të parakohshme, që do të zgjasin deri më 3 mars.