Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 09:43

Paris – Kryeministri francez Fransoa Fijon deklaroi se koalicioni ndërkombëtar, i cili merr pjesë në operacionin ushtarak në Libi, nuk synon që me forcë ta mposhtë liderin Moamer Gadaf, dhe nënvizoi se është detyrë e popullit libian që t’i zgjedhë udhëheqësit e tij, transmetuan agjencitë.

“Nuk është puna jonë që të vendosemi në vendin e tij”, deklaroi Fijon para parlamentit francez. “Nëse edhe i bëjmë thirrje Gadafit që të tërhiqet, vetëm populli libian ka të drejtë të vendos për fatin dhe t’i zgjedhë udhëheqësit e tij”, tha kryeministri francez.

Ai deklaratën e dha që ta qetësojë situatën konfuze që u paraqit pas fillimit të sulmeve ajrore mbi Libinë, të shtunën. Pasi janë kryer disa sulme mbi rezidencën e Gadafit, shumë persona u pyetën nëse koalicioni synon ta ndërrojë regjimin në këtë vend veriafrikan.

Fijon e bindi parlamentin se qëllimi i operacionit është që ta privojë Gadafin nga fuqia e tij ushtarake mbi kryengrtiësit dhe libianëve t’u japë mundësi që “sërish të inkurajohen që ta përcaktojnë strategjinë e tyre politike dhe të marrin vendim për ardhmërinë e tyre”.