Lajme Shqip Thursday, 18 August 2011 09:34

Paris – Popullsia e planetit pritet sivjet ta tejkalojë numrin prej shtatë miliardë banorë dhe pavarësisht nga ajo që rritja mesatare demografike në tërësi shënon rënie, ajo megjithatë mbetet e lartë në Afrikë.

Kjo do të thotë se në vitin 2100 çdo banor i tretë i Tokës me siguri do të jetojë në Afrikë, shkruan gazeta “Figaro”, duke i transmetuar rezultatet nga hulumtimi më i ri i Institutit francez për hulumtime demografike.

Instituti francez këto hulumtime i bën çdo dy vjet. Hulumtime të ngjashme me parashikime për rritjen e popullsisë në Tokë zbatojnë edhe Banka Botërore, Kombet e Bashkuara, si dhe disa institute më të mëdha demografike kombëtare.

Në hulumtim ekspertët francezë përkujtojnë se numri i banorëve të Tokës e tejkaloi kufirin prej gjashtë miliardë në vitin 1999, por ishin të nevojshme 12 vjet që të arrijë numër prej shtatë miliardë, që të tejkalohet kufiri prej tetë miliardë janë të nevojshme edhe 14 vjet. Hulumtimi parashikon se pas kësaj rritja e popullsisë së planetit duhet të stabilizohet dhe pas një shekulli në Tokë do të jetonin rreth nëntë deri dhjetë miliardë banorë.

Sipas parashikimeve të Institutit francez rritja demografike botërore sivjet do të shënojë rënie prej 1,1 për qind. Ngadalësimi i tempos së rritjes shpjegohet me zvogëlimin e natalitetit në planin global, i cili mesatarisht është 2,5 fëmijë në grua, ndërsa në vitin 1950 ka qenë mesatarisht pesë fëmijë në grua.

Kontribut esencial për rritjen e popullsisë kanë vendet afrikane, të cilat ndodhen në jug të Saharës, disa vende të Gadishullit Arab dhe rajonit, i cili shtrihet nga Afganistani deri në Indinë veriore.

Shtatë vendet me popullsi më të madhe për momentin janë Kina (1,33 miliardë persona), India (1,17 miliardë persona), SHBA-ja (306,8 milionë persona), Indonezia (243,3 milionë persona), Brazili (191,5 milionë persona), Pakistani (180,8 milionë persona) dhe Nigeria (162,3 milionë persona).

Kur sivjet popullsia në botë do ta tejkalojë pragun prej shtatë miliardë persona, popullata e Afrikës do të numërojë 1,05 miliardë banorë. Deri në fund të shekullit 21 popullata në mbarë Afrikën mund të rritet për katër herë dhe prej 800 milionë persona, sa janë evidentuar në vitin 2000 të arrijë rreth 3,6 miliardë persona në vitin 2100, vlerësojnë ekspertët francezë.

Rritje më drastike në kontinentin afrikan pritet në shtetet në jug të Saharës. Në vitin 2000 numri i popullatës në ato vende ishte 600 milionë persona, ndërsa në vitin 2100 pritet ajo të arrijë 3,4 miliardë persona.

Për momentin disa vende në jug të Saharës numri mesatar i fëmijëve në një nënë edhe më tej është i lartë. Në Niger për shembull një  nënë mesatarisht ka shtatë fëmijë, në Somali 6,4 fëmijë, në Republikën Demokratike të Kongos 6,1 fëmijë, ndërsa në Burkina Faso 5,8 fëmijë.

Në Afrikë për momentin në një mijë fëmijë vdesin 74, ndërsa në kuadër global në një mijë fëmijë vdesin 44. Në Evropë dhe në SHBA në një mijë fëmijë vdesin vetëm gjashtë.