Lajme Shqip Monday, 03 June 2013 11:01

Shkup – Partia maqedonase në pushtet, me “albanofobinë” e saj po ushqen urrejtje ndaj shqiptarëve, edhe pse maqedonasit, në fakt, kurrë gjatë historisë nuk kanë pasur probleme me shqiptarët. Kështu shkruan në kolumnën e fundit njëri nga figurat kryesor politike në Maqedoni, Lubomir Fërçkovski, sipas të cilit, e gjithë kjo urrejtje ndaj shqiptarëve është mbjellë nga “shkolla serbe”, transmeton Portalb.Më tej, Fërçkovski thotë se, “identitetet e kombeve nuk rrezikohen nga grupet me identitete të ndryshme të identitetit, por rreziku për një identitet të një komuniteti vjen nga shoqëritë që kanë elemente të ngjashme të identitetit”. Pra, sipas tij, shqiptarët nuk e rrezikojnë identitetin maqedonas, i cili në masë të madhe rrezikohet nga serbët dhe bullgarët.
“Maqedonasit nuk rrezikohen nga shqiptarët në kuptimin e rrezikimit të identitetit, por nga serbët ose bullgarët. Për shembull, po të jetonin në një shtet të përbashkët, këta dy popuj, që janë më të mëdhenj, do të mundoheshin që në planin afatgjatë, të ushtronin presion ose asimilim”, pohon Fërçkovski.
Ai kujton edhe historinë e bashkëpunimit shqiptaro-maqedonas në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare, në vitet e 40-ta të shekullit të kaluar, kur ushtritë nacionalçlirimtare shqiptare bashkëvepruan me VMRO-në maqedonase.
“Mirëpo, kjo histori, për ne maqedonasit, është fshehur, dhe ende nuk mësohet as në libra shkollorë (për shkak të sindromës së ndikimit serb në Jugosllavi) se ky ishte një bashkëpunim i vërtetë, në luftën e përbashkët të lëvizjeve çlirimtare”, thekson ai.
Përkundër harmonisë etnike brenda koalicionit qeveritar, Fërçkovski shprehet i shqetësuar me distancimin etnokulturor mes maqedonasve dhe shqiptarëve, por edhe për fjalorin e urrejtjes dhe për incidentet ndëretnike. Madje, ai kujton se, edhe konflikti i 2001-shit ndodhi në periudhën e një qeverisjeje harmonike mes partive maqedonase dhe shqiptare.
Fërçkovski parashikon se, rruga e izolimit të vendit rrit gjasat për destabilizim të Maqedonisë, andaj edhe akuzon VMRO-DPMNE-në për “orientimin e saj të cekët, manipulues dhe nacionalist, që bazohet mbi konceptin antishqiptar të Serbisë”.
Për Fërçkovskin, Maqedonia sigurisht që po shkon drejt vendit që dikur e kishte në RSFJ, si “republika e fundit për nga liria, ekonomia dhe demokracia”, megjithëse tani, sipas tij, “po del e fundit në rajon”. “Partitë në pushtet, Marrëveshjen e Ohrit e trajtojnë si një kornizë pazaresh, e cila mund të hidhet dhe të shtyhet, sikur të jetë një automobil i vjetër. Ajo trajtohet si hallkë rreth qafës së maqedonasve ‘krenarë’ me identitetin e tyre të ri, dhe me mitologjinë e tyre të re”.
Ljubomir Fërçkovski është njëri prej autorëve të Kushtetutës së Maqedonisë në vitin 1991. Ai është edhe “autori i një të tretës së Marrëveshjes së Ohrit”, siç parapëlqen të thotë për vetveten, si dhe ishte kandidat për president i Maqedonisë.