Lajme Shqip Wednesday, 07 March 2012 08:45

Uashington – Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka shpallur shpërblimin prej një milion dollarësh për informacione të cilat të çojnë drejt lokacionit dhe kthimit të sigurt të ish-agjentit të saj, Robert A. Levinson, i cili u zhduk nga ujdhesa Kish e Iranit, para pesë vitesh.

Familja e Levinsonit, vitin e kaluar, ka publikuar një video të rrëmbyesve në të cilën ish-agjenti i FBI-së, e përshkruan zënien e tij dhe kërkon që qeveria e Shteteve të Bashkuara ta ndihmojë.

Kjo video i ishte dërguar familjes me postë elektronike në vitin 2010, nga rrëmbyesit e dyshuar të Levinsonit. Në video ai ka bërë thirrje për shpëtim, duke theksuar se për hir të 33 viteve shërbim për Shtetet e Bashkuara, meriton të ndihmohet nga qeveria amerikane.

Rrëmbyesit nuk kanë bërë kërkesa për lirimin e tij.

Robert A. Levinson kishte dalë në pension nga detyra e tij në FBI dhe punonte si hetues privat, kur në mars të vitit 2007 udhëtoi për në Iran.

Familja e tij thotë se ai kishte shkuar në ujëdhesën Kish për shkak të një hetimi lidhur me kontrabandim të cigareve. Çështja e tij ka mbetur ende enigmatike e pazgjidhur.