Lajme Shqip Monday, 02 April 2012 19:26

Beograd-Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçic saktësoi se dy pjesëtarët e Policisë së Kosovës u dëgjuan sot në gjykatë dhe shtoi se kundër tyre do të ngrihet padi.

Daçic theksoi se është njoftuar me deklaratat e ministrit të brendshëm kosovar Bajram Rexhepi dhe presidentes Jahjaga që policët e arrestuar ishin në detyrë. Daçic ngriti pyetjen se me çfarë detyre paskan qenë ata policë në territorin e Serbisë qendrore.

“Ata u arrestuan sepse kishin armë dhe në uniforma, ishin në territorin e Serbisë qendrore. Nuk dua të hyj në detaje në cështje si, nëse ata ishin qëllimisht apo gabimisht në Serbi, dhe e përsëris që policia serbe vetëm sa kreu punën e saj”, tha ai.

“Nuk kemi ndërmend t’i ashpërsojmë raportet mes dy vendeve”, tha Daçic duke theksuar se për të është me rëndësi që policët të procedohen me padi penale.
“Duke marrë parasysh se policët u liruan pasi u arrestuan në Serbi, nuk kemi asgjë kundër që në këtë rast gjykata ta kryej punën e vet”, tha ai.