Lajme Shqip Wednesday, 30 November 2011 10:00

Teheran-Vazhdon tensioni mes Londrës dhe Teheranit. Pas sulmit të një dite më parë, autoritetet britanike kanë urdhëruar evakuimin total të ambasadës britanike nëIran. Lajmi raportohet nga BBC, e cila citon burime diplomatike, ndërsa autoritetet në Londër kanë konfirmuar largimin e një pjesë të stafit për arsye sigurie. Sipas këtyre burimeve i gjithë personeli duhet të largohet nga Irani brenda ditës së sotme. Kreu i parlamentit Iranian ka deklaruar se dënimi i sulmit nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së është i nxituar dhe do të sjellë destabilitet në sigurinë globale. Ka reaguar ndërkohë mbrëmë, kryeministri britanik, Dejvid Kameron, i cili paralajmëroi për “pasoja serioze” pas këtyre sulmeve, ndërsa e ka cilësuar një turp dështimin e autoriteteve iraniane për të mbrojtur ndërtesat britanike. E ndërkohë është caktuar për sot mbledhja e të gjithë ambasadorëve europian në Teheran për të vlerësuar ngjarjen e djeshme.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, ka dënuar sulmet “në termat më të ashpër”, ndërsa Presidenti amerikan Barak Obama i ka bërë thirrje Iranit t’i detyrojë përgjegjsit e këtij sulmi të japin logari. Nga ana tjetër, ministria e jashtme ruse i ka quajtur sulmet si të “papranueshme dhe që meritojnë dënim”.  Zyrtarët britanikë njoftuan se gjithë personeli ishin të sigurtë pas sulmeve në ambasadën britanike në Teheran dhe në një kompleks të dytë britanik në veri të Teheranit. Zyrat në të dyja vendet janë plaçkitur, ndërsa në ambasadë, mbështetësit iranianë dogjën flamurin britanik, duke e zëvendësuar me flamurin iranian. (LajmeShqip.com)