Lajme Shqip Tuesday, 29 March 2011 06:59

Beograd – Eurokomisari për zgjerim Shtefan Fyle, i cili sot duhet të arrijë për vizitë në Serbi, deklaroi se me bashkëbiseduesit në Beograd do të bisedojë për shpejtësinë e zbatimit të reformave ekonomike dhe politike.

Eurokomisari në Beograd do të ketë biseda me kryeministrin Mirko Cvetkoviq dhe me zëvendëskryeministrin për Integrime Evropiane, Bozhidar Gjeliq për aktivitetet e mëtejme të Serbisë në rrugën drejt BE-së.

Është paraparë Fyle të mbajë fjalim para deputetëve serbë dhe të takohet me kryetaren e parlamentit serb Sllavica Gjukiq-Dejanoviq, si dhe me ministrat e Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë, Ivica Daçiq dhe Snezhana Malloviq.

Eurokomisari mbrëmë në Bruksel bisedoi me presidentin serb Boris Tadiq. Sipas Tadiqit, Fyle është i kënaqur nga procesi i dinamikës, por kjo “nuk do të thotë se gjërat nuk duhet të përshpejtohen”.

Serbia më 31 janar i dorëzoi KE-së përgjigjet e pyetësorit. Në bazë të këtyre përgjigjeve KE do të ndërtojë qëndrim për atë nëse vendi është i gatshëm të marrë statusin e shtetit kandidat për anëtarësim.