Lajme Shqip Friday, 10 February 2012 12:00

Bruksel- Ministrat e financave të vendeve të eurozonës kanë paraqitur kërkesa të reja për Greqinë duke shtyrë vendimin për miratimin e paketës së ndihmës prej 130 miliard euro.

Athina duhet të plotësojë kushtet e reja deri më 15 shkurt, kur dhe do të jetë takimi i rradhës së Eurogrupit. 

Vetëm disa orë, pasi liderët politikë të Greqisë shpallën se janë pajtuar për reformat e kërkuara për sigurimin e ndihmës prej 130 miliardë eurosh nga kreditorët ndërkombëtarë, kryeministri i Luksemburgut, Zhan-Klod Junker, tha se Greqia duhet t’i plotësoj edhe disa kushte të tjera.

Athina duhet të gjejë 325 milion euro të tjera nëpërmjet shkurtimeve të buxhetit, brenda të mërkurës së ardhshme.

“Megjithë progresin e konsiderueshëm që është arritur në ditët e fundit, nuk kemi pasur të gjithë informacionin e nevojshëm në tryezë, për të marrë vendime”, tha në konferencë shtypi pas mbledhjes së ministrave të Financave të Eurozonës, kreu i Eurogrup Jean Klod Juncker.

Ai shtoi se Eurogrup do të ketë një takim tjetër të mërkurën, për të miratuar ndihmën për Greqinë, vetëm nëse ajo përmbush kushtet kryesore që janë:

1.Miratimi i marrëveshjes së kredisë së re të dielën në parlamentin grek.

2.Përcaktimi i shkurtimeve shtesë për sigurimin e 325 milion euro në vitin 2012.

3.Sigurimi i angazhimit të fortë nga liderët politikë, për të zbatuar programin e masave.

Në përputhje me kërkesat e huadhënësve, parlamenti grek duhet të miratojë të dielën, marrëveshjen e liderëve politikë për masat, ndërkohë që Brukseli kërkon “garanci” të forta nga udhëheqësit politikë, për të zbatuar programin e masave edhe pas zgjedhjeve të ardhshme politike në vend.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri dhe ministri grek i Financave Evangelos Venizelos deklaroi mbrëmë pas mbledhjes në Bruksel se “deri në mbledhjen e ardhshme të Eurogroup, vendi dhe shoqëria duhet të mendojnë dhe të bëjnë një zgjedhje përfundimtare strategjike. (LajmeShqip.com)