Lajme Shqip Monday, 06 February 2012 18:30

Berlin- Greqia për shkak të krizës debitore me të cilën po përballet, ka nevojë për imazh të ri, vlerëson eurodeputeti gjerman me prejardhje greke, Jorgos Shacimarkakis dhe propozon emër të ri për përdorim ndërkombëtar, i cili do t’i ndihmojë vendit për një fillim të ri.

“Për shumicën në Evropë, emri Greqi asocon në një sistem jofunksional politik, nepotizëm. Si pjesë e një fillimi të ri të ndershëm, Kushtetuta greke duhet të ndryshohet dhe vendi të riemërohet Hellas në të gjitha gjuhët”, thotë Shacimarkakis në botimin javor të gazetës gjermane “Bild”.

Ai sqaron se “Hellas” është emri të cilin grekët e shfrytëzojnë për emërim të vendit të tyre.

Sipas tij, Athina duhet ta hedhë poshtë sistemin ekzistues politik dhe tërësisht ta ndryshojë. Akoma më me rëndësi, vlerëson Shacimarkakis, paratë të cilat Evropa ia jep Greqisë shkojnë për pagim të borxhit, por nuk e zgjidhin problemin e vendit.

“Greqisë i nevojitet rritje ekonomike. Vetëm atëherë ajo mund ta ndërmarrë përgjegjësinë për borxhin e vet”, konsideron eurodeputeto i cili është nga partia e Demokratëve të lirë.

Negociatat rreth pakos së dytë për shpëtim të vendit Athina duhej t’i përfundonte të dielën në mesnatë.