Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 10:45

Beograd- Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri Kethrin Eshton dhe komisioneri evropian për zgjerim Shtefan Fyle shprehën bindje se Serbia mund “t’i bëjë hapat përfundimtarë” që në shkurt të miratohet vendim për dhënie të statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Jemi të bindur se Serbia mund t’i bëjë hapat përfundimtar dhe të sigurojë që në shkurt të miratohet vendim për dhënie të statusit kandidat për anëtarësim në BE”, theksuan Eshton dhe Fyle për “Press”.

Ata theksuan se janë shumë të inkurajuar nga përparimi në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit i cili po realizohet me ndërmjetësim të Unionit, duke shtuar se “marrëveshja më e re e arritur prej vetëm një jave dhe sinjalet e paradokohshme pozitive në zbatimin e marrëveshjeve të arritura paraprake tregojnë se gjërat fuqimisht po lëvizin në drejtimin e duhur”.

Eshton dhe Fyle theksuan se janë shumë të kënaqur edhe për shkak të bashkëpunimit të plotë të Serbisë me Tribunalin e Hagës, si dhe me avancimin e rëndësishëm drejt realizimit të kritereve për inkuadrim dhe të gjitha kërkesat nga procesi i stabilizim-asociimit.