Lajme Shqip Monday, 14 November 2011 21:00

Tel Aviv – Negociuesi palestinez, Sead Erekat sot deklaroi se nuk mund të ketë zgjidhje dyshtetërore të konfliktit izraelito-palestinez përderisa Izraeli vazhdon me ndërtimin e lagjeve hebraike në Bregun e okupuar perëndimor dhe në Jerusalemin lindor.

Erekat e deklaroi këtë pas raundit të dytë të bisedimeve të ndara mes ndërmjetësuesve paqësor ndërkombëtar me palestinezët dhe izraelitët në Jerusalem, në përpjekje për t’u tejkaluar stagnimi në negociatat paqësore.

“Nuk ka dyshim në faktin se lagjet izraelite dhe zgjidhja dyshtetërore janë të përjashtuara”, tha Erekat pas takimit me Toni Bler dhe përfaqësuesit e tjerë të katërshes së ndërmjetësuesve paqësor për Lindjen e Afërt, qëe përbëjnë KB-ja, SHBA-ja, Rusia dhe BE-ja.

Ai e shprehi gatishmërinë e palestinezëve për të negociuar, por vetëm kur Izraeli do ta ngrijë ndërtimin në rajonet e përmendura dhe kur do t’i pranojë kufijtë të cilët ekzistonin para luftës së vitit 1967 si bazë të negociatave.

Ndërjetësuesit pasdite biseduan edhe me këshilltarin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, por të gjitha përpjekjet e deritanishme për ripërtërirje të negociatave, që janë ndërprerë më shumë se një vit, nuk rezultuan të frytshme.