Lajme Shqip Tuesday, 03 May 2011 16:57

Ankara – Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan sot i bëri thirrje liderit libian Moamer Gadafit që menjëherë të tërhiqet nga pushteti me qëllim që t’i vihet fund gjakderdhjes në Libi.

“Ne dëshirojmë që lideri libian ta braktisë Libinë dhe të heqë dorë nga pushteti për shkak të tij dhe ardhmërisë së vendit të tij, për të mos shkaktuar më shumë gjakderdhje, lotë dhe shkatërrim”, deklaroi Erdogan.

Turqia, e cila para trazirave në Libi mbante marrëdhënie të mira me regjimin në Tripoli, deri më tani përmbahej të kërkojë tërheqje të Gadafit, edhe pse njëkohësisht zhvillonte dialog me opozitën libiane me qëllim që të arrihet armëpushim mes palëve të konfrontuara.

Pas më shumë se gjashtë javëve pas intervenimit të Koalicionit ndërkombëtar në Libi, Grupi i Kontaktit për Libinë do të mbajë mbledhje të re të enjten në Romë. Turqia në mbledhje do të përfaqësohet nga ministri i Punëve të Jashtme, Ahmet Davutoglu.

Turqia e cila është faktor kryesor në rajonin  dhe ka interesa ekonomike serioze  në Libi u përpoq të luajë një rol ndërmjetësues në këtë vend, por përpjekjet e saj mbaruan pa sukses, deklaroi Erdogan.

“Përpjekjet tona për fat të keq nuk ishin marrë parasysh me seriozitet nga administrata e Tripolit. Gadafi, në vend që t’i pranojë këshillat tona për ndërprerje të gjakderdhjes, i zgjodhi shtypjen, vuajtjen dhe sulmet ndaj popullit të vet”, deklaroi kryeministri i Turqisë.

Turqia, e cila kumtoi se është kundër operacionit ajror në Libi, mori pjesë në operacion detar të NATO-s për imponim të embargos për armë për Tripolin. Ajo propozoi nga fillimi i muajit prill udhëzime për zgjidhje të situatës në Libi, duke bërë thirrje për armëpushim urgjent.

“Tash hapet  periudhë e re në historinë e Libisë, fjalët më nuk kanë vlerë. Lideri libian duhet ta pranojë përgjegjësinë e tij dhe t’ia dorëzojë pushtetin popullit”, deklaroi Erdogan duke theksuar se Libia nuk i përket një personi ose një familjeje, por popullit libian.

Ankaraja të hënën kumtoi se njëkohësisht e mbylli ambasadën e Turqisë në Tripoli për shkak të dhunës në qytet. Misioni diplomatik i Turqisë në Bengazi, i cili është qendër e opozitës, mbetet i hapur dhe Erdogani theksoi se qeveria turke mbetet në një lidhje të ngushtë me Këshillin kalimtar kombëtar libian.