Lajme Shqip Saturday, 18 January 2014 21:21

Kryeministri turk Rexhep Tayip Erdogan deklaroi të premten se nuk do e toleronte korrupsionin as në familjen e tij. Ai është shprehur se nuk do njihte fëmijët e tij nëse ndonjë prej tyre do të ishte përfshirë në korrupsion.

“Ne duhet të llogarisim veten para se të merremi në llogari(në Ditën e Gjykimit). 

Më lejoni të jem i qartë, në qoftë se njëri nga fëmijët e mi do të ishte përfshirë në korrupsion, unë nuk do e njihja”, ka thënë Erdogan në aktivitetin e zhvilluar me rastin 100- vjetorit të shkollave të larta të njohura si Imam Hatip. 
Pak ditë më parë autoritetet turke pushuan nga detyra disa prokurorë të lartë si dhe kryeprokurorin e Stambollit. Që nga koha kur Prokuroria e Stambollit ka nisur një operacion të gjerë antikorrupsion në rrethin e ngushtë të kryeministrit Erdogan, qeveria ka filluar spastrimin masiv në radhët e policisë dhe gjyqësorit, shkruan ballkanweb. 
Për kryeministrin turk, i cili i ka shpallur luftë të hapur ish-aleatit të tij Fetullah Gylen, i cili drejton një vëllazëri të fuqishme fetare të kudondodhur në këto dy korporata profesionale, ky operacion i gjerë është “një operacion i ndyrë” kundër qeverisë së tij.