Lajme Shqip Thursday, 09 January 2014 15:21

Kryeministri turk Rexhep Tayip Erdogan ka nisur një sulm të hapur mbi lëvizjen Gylen, e ndërsa duket se nuk është aspak i gatshëm të marrë përgjegjësi politike për korrupsionin brenda qeverisë së tij.

Përveç kritikave verbale,Erdogan ka nisur nisma ligjore për të dëmtuar veprimtarinë e Lëvizjes, duke u munduar të ngushtojë fushëveprimin e tyre, raporton bashkëpunëtori i Portalit Albeu nga Ankaraja.

Në të njëjtën kohë, qeveria e kryeministrit turk ka shkarkuar nga detyra dhe dërguar në pozicione më të ulta dhe pasive mbi 2000 drejtues policie, aq sa këto lëvizje në polici janë bërë objekt humori në rrjetet sociale pasi ka raste që një drejtori policie, brenda 2 javëve i është ndryshuar vendi i punës 4-5 herë, shkruan albeu.

Hakmarrja e Erdogan nuk është kufizuar vetëm në polici. Prokuroria gjithashtu është trondtiur nga ndryshime pozicionesh të imponuara nga qeveria. Dhjetëra prokuror janë ndryshuar gjatë ditëve të fundit ndërsa vala e shkarkimeve ka vazhduar edhe në televizionin shtetëror, dhe në drejtoritë më të rëndësishme të ministrisë së brendshme, të drejtësisë dhe asaj të financave.

Të shkarkuarit, akuzohen nga Erdogan se janë mbështetës të Lëvizjes Gylen. Erdogani dhe pasuesit e tij flasin për struktura paralele në aparatin e shtetit që synojnë të përmbysin qeverinë dhe për t’i shkatërruar këto struktura nevojiten shkarkime masive.

Kritikat në drejtim të kryeministrit Erdogan sa vjen e shtohen nga brenda dhe jashtë ndërsa BE vazhdimisht i ka tërhequr vëmendjen qeverisë turke që të lërë të lirë Prokurorinë të bëj detyrën si e pavaruar dhe të luftojë korrupsionin.

Mediat turke gjithashtu nënvizojnë faktin se në dy muajt e fundit, asnjë zyrtar nga shtetet e BE-se nuk ka vizituar Turqinë e as kryeministri turk nuk ka bërë ndonjë vizitë në njërin nga këto shtete, që spjegohet me krizën e thellë në marrëdhëniet Turqi-BE.

Pavarësisht kritikave, Erdogan në dukje duket i pashqetësuar dhe vazhdon me hakmarrjen ndaj administratës ndërsa një sondazh i publikuar disa ditë më parë në lidhje me zgjedhjet lokale që do të mbahen pas 3 muajsh, ka bërë të ditur për ulje të mbështetjes së Erdogan nga 51% në 39% ndërsa një sondazh tjetër i publikuar sot nga kompania SONAR me pyetjen “nëse do të zhvilloheshin zgjedhjet parlamentare sot”, ka treguar një rënie në 42%, që është popullariteti më i ulët i partisë së Erdogan në 11 vjet qeverisje. /albeu.com/