Lajme Shqip Wednesday, 26 December 2012 17:18

Prishtinë – Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava është pritur të martën nga kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e të cilin myftiu e falënderoi për pritjen e ngrohtë vëllazërore si dhe për angazhimin e kujdesin e vazhdueshëm të tij dhe të qeverisë turke për Kosovën.

Tërnava, posaçërisht e falënderoi kryeministrin turk për mbështetjen e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, e sidomos dhe angazhimin e tij për shtimin e njohjeve për Kosovën në vende të ndryshme.

Myftiu Tërnava e falënderoj Kryeministrin turk për kontributin e dhënë së fundmi për njohjen e Kosovës nga Pakistani si dhe kërkoi nga ai që në takim me kryeministrin e Tunisit, atij t’ia kërkojë përshpejtimin e njohjes së Kosovës.

Kryeministri Erdogan e siguroi myftiun Tërnava se do t’i kërkojë kryeministrit të Tunisit njohjen e Kosovës, dhe të vazhdoj përpjekjet për shtimin e njohjeve të Kosovës edhe tek ato vende që ende s’e kanë njohur Kosovën.

Gjatë qëndrimit në Turqi, myftiu Tërnava është pritur edhe nga kryetari i DIJANET-it, prof. dr. Mehmet Gormez.(Zeri/LajmeShqip.com)