Lajme Shqip Thursday, 25 July 2013 13:14

Shkup – Shqipëria, Kosova dhe Bullgaria e mbështesin propozimin e fundit të ndërmjetësuesit të OKB-së, Metju Nimic, ndërsa qëndrimi i Serbisë do të jetë i harmonizuar me qëndrimin e Greqisë

“Maqedonia e Epërme”,propozimi i fundit i ndërmjetësuesit, Metju Nimicështë i pranueshëm dhe mbështetet nga të gjithë fqinjët e Maqedonisë.

Në fakt Shqipëria mbështet çdo zgjidhje që do të arrihej mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit. “Shqipëria gjithnjë e ka quajtur çështje bilaterale kontestin që kanë këto dy shtete dhe për Shqipërinë do të ishte e pranueshme çdo lloj zgjidhjeje që do të arrinin ata”, tha për “Lajm” ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Arben Çejku.

Burime të “Lajm”-it brenda Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) pohojnë sepropozimi i fundit i ndërmjetësuesit Nimic nuk është aspak kontestues për Kosovën dhe se Kosova e mbështet këtë propozim. “Në bisedat paraprake që i kanë pas përfaqësuesit e BDI-së me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës kanë marrë përkrahje për këtë propozim. Kosova mbështet këtë propozim, pasi ai nuk paraqet asnjë kontest për të e aq më tepër kur Kosova dhe Maqedoniakanë marrëveshje për demarkacionin e kufirit”, tha i njëjti burim.

Sipas tij edhe Bullgaria e përkrah emrin “Maqedonia e Epërme” dhe e mbështet atë, ndërkaq që qëndrimi i Serbisë do të jetë i harmonizuar me qëndrimin e Greqisë për shkak të marrëdhënieve të mira miqësore tradicionale që i ka me të.

Zëvendëskryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Izet Mexhiti para pak ditësh tha se emri “Maqedonia e Epërme” është i pranueshëm për zgjidhjen e problemeve me Greqinë dhe mbështete nga partia e tij. “Ne nuk do të pranojmë një emër me shtesën Jugosllavi dhe dy ose tri propozime që janë problematike. Çdo gjë tjetër është e pranueshme, duke përfshirë edhe emrin ‘Maqedonia e Epërme’”, tha Mexhiti.

Propzimi “Maqedonia e Epërme mbështetet edhe SHBA-të, ku sipas medieve greke, gjatë takimit të 8 gushtit në Uashington të presidentit të SHBA-së Barack Obama dhe kryeministrit grek Samaras Andonis, Obama do të ushtrojë trysni për të zgjidhur sa më parë çështjen e emrit. “Porositë që vijnë përmes Atlantikut janë të qarta dhe jo shumë optimiste. Uashingtoni dëshiron që këtë çështje të zgjidhet sa më shpejtë që është e mundur, nëse mundet edhe deri në fund të 2013 dhe në këtë takim Obama do të kërkojë të precizohet”, shkruan gazeta greke “Paron”.

Sipas “Paron” amerikanët janë për emrin “Maqedonia e epërme”, por çështja është nëse këtë do ta pranojë Samarasi. “Nuk ka arsye të mos e pranojë”, kanë thënë burime diplomatike për gazetën të lidhura me ambasadën amerikanë në Athinë.

Propozimi i emrit “Maqedonia e Epërme” doli në muajin prill nga Metju Nimic, ndërmjetësi i OKB-së në kontestin rreth emrit mes Maqedonisë e Greqisë.

Propozimi gjatë korrikut u bë i njohur nga kreu i BDI-së Ali Ahmeti.

Zyra për Informim e Qeverisë së Maqedonisë, fjalët e Ahmetit për emrin “Maqedonia e Epërme”, i quajti spekulime, ndërsa zyrtarët e VMRO-DPMNE-së shfaqën pakënaqësi për publikimin e këtij propozimi nga ana e Ahmetit.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka disa muaj që ka ndërmarrë një fushatë lobimi për zgjidhjen e çështjes së emri.