Lajme Shqip Friday, 27 April 2012 12:00

Tre vejushat dhe fëmijët e Osama Bin Laden u ekstraduan të premten në Arabinë Saudite, nga kryeqytetit i Pakistanit, Islamabad.

Lajmin e konfirmuan birime zyrtare. Të tre gratë dhe 11 fëmijët e tyre u vendosën në një minibus dhe u shoqëruan me roje e kushte të larta sigurie deri në kufi me vendin e tyre të origjinës.

Bin Laden u vra nga forcat speciale të ushtrisë amerikane një vit më parë në qytetin pakistanez të Abotabadit.

Që prej atëherë, gratë e Bin Ladenit mbaheshin të izoluara, pasi në momentin e arrestimit u gjet se ato jetonin ilegalisht në Pakistan.

Përpara se të transportoheshin jashtë vendit, të tre gratë vuajtën një dënim prej 45 ditësh burgosje në shtëpinë e tyre.

Në një komunikatë zyrtare të Ministrisë së Brendshme, informohej se “14 anëtarët e familjes së Bin Laden u ekstraduan në bazë të ligjit, në një vend që ata zgjodhën, si Arabinë Saudite”.

Vendet perëndimore ushtruan presion mbi Pakistanin për të zhvilluar seanca pyetjesh mbi gratë për të mësuar sekrete të jetës dhe punës së përditshme të Bin Ladenit në vend. Megjithatë, informata të tilla të vyera mbetet për momentin vetëm në dorën e Shërbimeve Sekrete të Pakistanit.