Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 16:08

Shkup – Analistët në Maqedoni janë të mendimit se karta në të cilën do të luajnë partitë është sërish ardhmëria evropiane e vendit. Sipas tyre, madje nuk pritet të zbulohet diçka e re në platformat garuese të partive për zgjedhjet e paralajmëruara të mbahen më 5 qershor.

Sipas analistit Mahi Nesimi, praktika e deritanishme flet për atë se shumë pak punohet më pas në atë drejtim, me arsyetime të ndryshme të cilat shpesh herë dhe nuk i mbajnë.

“Fjalori politik që përdoret gjatë zgjedhjeve, lidhur me integrimet euro- atlantike është mjet nëpërmjet të cilit partitë politike tentojnë ta bindin opinionin se preokupim parësor i tyre është ardhmëria e vendit.

Praktika e deritanishme flet për atë se shumë pak punohet më pas në atë drejtim, me arsyetime të ndryshme, të cilat shpesh herë edhe nuk i mbajnë. Mendoj se retorika e tillë do të jetë prezente edhe në këto zgjedhje, do të jetë e ndarë, partitë që janë në opozitë do ta përdorin atë retorikë por në të njëjtën kohë duke akuzuar partitë në pushtet se ata nuk kanë bërë gjë në drejtim të integrimeve euroatlantike ndërsa këta do të bëjnë”, ka thënë Nesimi

Ai ka shtuar se çështja qëndron në atë se sa do t’u besojnë partive, sepse dihet se të gjithë do të përdorin retorikën dhe, sipas tij, populli nuk ka alternativë tjetër përpos vlerësimit të besueshmërisë së tyre.

Ish-ambasadori në NATO, Nano Ruzhin, ka prognozuar se fushata e ardhshme do të jetë me shumë tensione, si fizike ashtu edhe në plan retorik. Sipas tij, partitë më shumë do të koncentrohen në dështimet e të tjerëve se sa të prezantojnë programet e tyre.

“Është e qartë se pengesa kryesore për integrimin e vendit është çështja e emrit. Fuqinë aktualisht e mban VMRO dhe partnerët e saj të koalicionit, të cilët nuk kanë fuqi ta zgjidhin këtë kontest, por as edhe të tërhiqen nga politika e diktaturës, e cila i dëmton qytetarët dhe interesat e vetë shtetit. Me sa e shoh, VMRO-së dhe BDI-së u duhen edhe katër vite të reja të qeverisjes, ata do të mundohen të gjejnë ndonjë formulë në fillim, që më pas ta nxjerrin në referendum te qytetarët, por me manipulime të shumta dhe me epilog negativ të saj dhe në këtë mënyrë do të mbrohen dhe shfajësohen tek populli se ishte kjo ju që dëshiruat“, ka thënë Ruzhin.

Madje, sipas analistit politik, Ismet Ramadani, liderët e partive politike kryesore me vite kanë përdorë deklarimet e tyre proevropiane për të përfituar në elektorat, mirëpo shumë pak kanë bërë në drejtim të realizmit të premtimeve dhe deklaratave të tyre dhe për të plotësuar standardet, për të ruajtur diskursin pro-evropian.

“Sidomos, partitë të cilat kanë qenë në qeverisje, asnjëherë qytetarëve deri në fund nuk u kanë shpjeguar sa është përparësi dhe prestigjioze që vendi të jetë anëtar i NATO-s dhe BE-së, në një mënyrë kanë dominuar deklarata të cilat kanë mbetur vetëm në nivel të premtimeve por jo dhe të realizimeve. Të njëjtën si duket edhe në këto zgjedhje do ta përdorin partitë, mirëpo kësaj radhe qytetarët e kanë më të qartë se kanë kaluar shumë vite me demagogji politike dhe deklarime dhe ata do t’i zgjedhin ata liderë të cilët do të jenë bindshëm të përkushtuar agjendës pro-evropiane dhe besoj se tanimë qytetarët do t’i detektojnë më mirë liderët politikë të cilët do të jenë të gatshëm të bëjnë kompromis të shpejtë për emrin me Greqinë, si kusht i zhbllokimit të euro-integrimeve”, ka thënë Ramadani.