Lajme Shqip Wednesday, 14 August 2013 19:41

Kajro – Ka ardhur edhe reagimi i parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për eskalimin e dhunës në Egjipt.

Asistenti special i presidentit amerikan, Josh Earnest në një deklarim para mediave ka thënë se SHBA-të e dënojnë përdorimin e dhunës ndaj protestuesve në Egjipt.

“SHBA-të e dënojnë fuqishëm përdorimin e dhunës ndaj protestuesve në Egjipt. Ne ju shprehim ngushëllimet tona familjeve të atyre që kanë humbur pjesëtarët e tyre dhe ata që janë lënduar. Ne rregullisht ju kemi bërë thirrje ushtrisë egjiptiane dhe forcave të sigurisë që të përmbahen, ndërsa qeveria të respektojë të drejtat universale të qytetarëve, njejtë siç ju kemi kërkuar protestuesve që të demonstrojnë paqësisht. Dhuna vetëm sa do e bëjë më të vështirë për Egjiptin që të ec para drejt një stabiliteti afatgjatë dhe demokracisë. Kjo situatë shkon në kundërshtim me premtimet e qeverisë së përkohshme për ripajtim”, është shprehur Earnest.

Josh Earnest gjithashtu ka thënë se SHBA-të e kundërshtojnë rikthimin e gjendjës së jashtëzakonshme.

El Baradei jep dorëheqje

Zëvendës presidenti egjiptian, laureati i çmimit Nobel, Mohamed ElBaradei, ka dhënë dorëheqje përmes një letre që ja ka dërguar presidentit të përkohshëm të Egjiptit.

Agjencia franceze e lajmeve, AFP e cila raporton se e ka parë letrën, shkruan se dorëheqja është bërë pasi shumë njerëz u vranë gjatë përpjekjeve të forcave të rendit që të shpërndajnë protestat e përkrahësve të liderit islamik, Muhammad Morsi që u hoq nga pushteti prej ushtrisë më 3 korrik.

“Është bërë shumë e vështirë që të vazhdohet mbajtja e përgjegjësisë për vendime me të cilat unë nuk pajtohem dhe për pasojat e së cilës kam frikë”, ka shkruar në letrën e dorëheqjës, ElBaradei.

Ai ka thënë se ndërgjegja e tij është trazuar për shkak të humbjes së jetërave të njerëzve “sidomos pasi unë kam besuar se këto humbje ka qenë e mundur të evitohen”.

“Fatkeqësisht ata që përfitojnë nga ajo që ndodhi sot janë ata që bëjnë thirrje për dhunë dhe terrori, grupet ekstremiste”, ka thënë ai.

Numri i viktimave në Egjipt arrinë në 149

Katër pjesëtarë të policisë egjiptiane janë vrarë me armë zjarri nga përkrahësit e presidentit të hequr nga pushteti, Muhammad Morsi, në një zonë periferike të Kajros, njofton televizioni shtetëror egjiptian.

Në incidente të ndara në të gjithë vendin, disa stacione policore dhe ndërtesa qeveritare janë sulmuar pasi forcat e rendit kanë ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit islamik që kërkojnë rikthimin e Morsit në pozitën e presidentit.

Ndërkaq, ministria e shëndetësisë së Egjiptit ka thënë se numri i të vrarë gjatë përleshjeve të sotme në të gjithë vendin ka arritur në 149./REL/