Lajme Shqip Wednesday, 06 February 2013 16:51

Kairo – Rojet e sigurisë arritën të kapin një burrë që tentoi të qëllonte me këpucë presidentin e Iranit, Mahmoud Ahmadinejad.

Ngjarja ndodhi ndërsa presidenti po vizitonte një xhami në kryeqytetin egjiptian, Kajro.

Video tregon momentin kur një burrë thërret “frikacak” dhe qëllon.

Sipas BBC, nuk dihet cili ishte motivi, por disa raportime flasin për një sirian, të zemëruar nga mbështetja që i jep Irani qeverisë së vendit të tij.

Lideri iranian po merrte pjesë në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, ku përfshihen 57 vende myslimane.

Jashtë xhamisë kishte edhe protestues të tjerë që mbanin postera kundër mbështetjes që i jep Irani regjimit të Sirisë.(T.O/LajmeShqip.com)