Lajme Shqip Saturday, 26 November 2011 12:00

Kajro – Kamall Ganzuri, të cilin Këshilli ushtarak e emëroi për kryeministër të ri, deklaroi se përbërja e Qeverisë së re nuk do të kumtohet para fillimit të zgjedhjeve parlamentare të hënën.

Ganzuri (78 vjeçar) deklaroi se Këshilli i ka dhënë kompetenca të formojë qeveri dhe ta kryejë funksionin e kryeministrit.

Kryeministri i ri pranoi se pranimi i funksionit për të ka qenë një sfidë e vërtetë në kohën kur në Egjipt ka tensione politike. Ganzuri shtoi se shefi i Këshillit ushatark Mohamed Tantaui nuk e ka për qëllim të qëndrojë në pushtet.

Ganzuri do të formojë qeveri për shpëtim kombëtar në vend të kabinetit të kryeministrit paraprak Esam Sharaf, i cili këtë javë dha dorëheqje.

Ganzuri ishte kryeministër i Egjiptit prej vitit 1996 deri në vitin 1999 dhe arriti të vendos disa reforma, të orientuara drejt liberalizimit të ekonomisë. Shumica e egjiptianëve e konsiderojnë për politikan i cili asnjëherë nuk ka qenë i përzier në skandali politik. Por, fakti se ai ka qenë kryeministër në kohën e presidentit paraprak Hosni Mubarak mund të shkaktojë pakënaqësi tek ata të cilët dëshirojnë që Egjipti përgjithmonë ta harrojë të kaluarën e vet, theksojnë mediat perëndimore.