Lajme Shqip Monday, 08 October 2012 10:02

Shkup – Boksieri i mirënjohur Nuri Seferi që mbron ngjyrat e Shqipërisë në finalen e madhe për titullin WBO – Europe shënoi fitore spektakolare ndaj boksierit serb Nenad Stankoviq.

Boksieri i shkathët nga Gostivari arriti që me teknikën “KO” të mposhtë serbin që në minutën e dytë të raundit të parë, duke e shtrirë për tokë, pas një goditje shpërthyese dhe të vrullshme.

Stankoviq ka nisur furishëm ndeshjen duke i`u vërsulur Seferit, i cili me mjeshtëri të lartë përplasi për tokë dhe i menjëhershëm ka qenë reagimi i kampit serb dhe trajnerit, i cili hodhi peshqirin në ring, duke konfirmuar edhe dorëzimin e kësaj finale.  Gjyqtari i përballjes Zdravko Millojeviq, serb nga Bosnjë – Hercegovina, menjëherë ka ndërprerë duelin, pas sinjalit nga trajneri i Stankoviq.

Me këtë sfidë, Nuri Seferi tregoi shkathtësitë e tij dhe u shpallë kampion WBO- Europe. Mëse spektakolarë ka qenë edhe dueli midis boksierit profesionist strugan Agron Xhila dhe boksierit serb Nemanja Rugaçeviq. Xhila, kampion botëror në të gjitha versionet për boksier të rinj deri 24 vjeç ka arritur rekord në këtë përballje, duke e mposhtur me KO serbin brenda 17 sekondave të raundit të parë.

Gjyqtari i këtij dueli, Hamdi Uka ka ndërprerë duelin, pasi boksieri serb u dorëzua dhe nuk vazhdoi garimin. Xhila dëshmoi nivelin e lartë të një boksieri me 16 fitore nga 17 duele, prej të cilëve 12 kanë qenë me “knock – out”.

 Interesant dhe sfidues ishte dueli midis Sefer Seferit dhe boksierit hungarez Gjula Bozai. Kjo përballje ka zgjatur deri në raundin e gjashtë, pasi që Bozai përkundër goditjeve të pësuara nuk u dorëzua, por arriti të godasë Seferin, megjithatë ai gjatë tërë duelit ka qenë duke u vetëmbrojtur.

Para këtyre para këtyre dy ndeshjeve, në ring ishin ngjitur boksieri serb Milan Rovçanin dhe ai boshnjak Senad Imamoviq, ku fitore shënoi boksieri serb me pikë në katër raunde.

Në fillim të kësaj mbrëmje gala të boksit u zhvilluan katër ndeshje amatore të boksierëve të rinj, ku u dallua boksieri Ajdin Ferati nga KB “Shkupi”.

Në këto duele të boksit profesionist që u zhvilluan në sallën sportive “Boris Trajkovski” kanë qenë mbi pesë mijë spektatorë. Situatës dhe atmosferës së emocioneve nuk i shpëtuan edhe incidentet dhe provokimet. Gjatë defilimit të boksierit serb, Stankoviq në finalen me Seferin, nga publiku janë hedhur shishe plasmasi, shkrepsa dhe gjësende tjera, por tërë situata ka qenë nën kontroll dhe janë evituar incidentet më të mëdha..(LajmeShqip.com)