Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 19:10

Shkup – Deputetët e Demokracisë së Re (DR), kanë dorëzuar të mërkurën parashtresën në Gjykatën Kushtetuese, me të cilën kontestojnë dispozita të Kodit Zgjedhor të cilat rregullojnë çështjen e njësive zgjedhore në vend. Parashtresa në pjesën e parë konteston kufijtë e njësive zgjedhore për shkak të numrit të madh të votuesve në njësinë zgjedhore 6, respektivisht 7,3 për qind më tepër se mesatarja e numrit të votuesve në njësitë zgjedhore. Kjo situatë, sipas DR-së, është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe si e tillë duhet të anulohet nga Gjykata Kushtetuese.

Nga ana tjetër, Demokracia e Re para Gjykatës Kushtetuese konteston edhe diapazonin ligjor “… më së shumti prej -5% deri në +5%…” për dallimin e votuesve mes njësive zgjedhore. Me këtë diapazon cenohet e drejta kushtetuese e qytetarit se vota e tij është e barabartë dhe se qytetarët janë të barabartë para Kushtetutës dhe ligjeve, si dhe devalvohet parimi kushtetues i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të bashkësive etnike në organet e shtetit. Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Lista Zgjedhore e Republikës së Maqedonisë ka evidentuar 1.830.284 votues të cilët votojnë në gjashtë njësitë zgjedhore të përcaktuara në pajtim me nenin 4, paragrafi 2 dhe nenin 175 të Kodit Zgjedhor. Në pajtim me këtë shifër, numri mesatar i votuesve në njësi zgjedhore është 305.064 votues. Gjendja momentale e numrit të votuesve në njësitë zgjedhore dëshmon se Njësia zgjedhore 6 numëron 327.479 votues, përkatësisht +7.3% të numrit mesatar të votuesve në njësinë zgjedhore (305.064 votues). Gjendja e këtillë kalon diapazonin ligjor “… më së shumti prej -5% deri  më +5%…” dhe si e tillë është në kundërshtim me nenin 4, paragrafi 2 të Kodit Zgjedhor. Përkatësisht, në njësinë zgjedhore 3 me numër të përgjithshëm të votuesve 292.965 zgjidhen 20 mandate deputetësh, përderisa në njësinë zgjedhore 6 me numër të përgjithshëm të votuesve  prej 327.479 gjithashtu zgjidhen 20 mandate të deputetëve, edhe pse  dallimi i votuesve  ndërmjet këtyre dy njësive zgjedhore është 34.514 votues, që është ekuivalente me përafërsisht 5 mandate të deputetëve.

“Nëse gjendja e këtillë lidhet me shembullin e lartpërmendur, votuesit nga njësia zgjedhore 6 nuk kanë të drejtë të barabartë votimi, përkatësisht votat e tyre nuk kanë vlerë të njëjtë si votat e elektoratit në njësitë tjera zgjedhore, për përfaqësim në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë edhe të drejtë të barabartë të marrin pjesë në ushtrimin e funksioneve publike krahasuar me votuesit nga njësia zgjedhore 3”, qëndron në kumtesën e Demokracisë së Re (DR).