Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 11:31

Uashington – SHBA-ja planifikon që, kundër programit bërthamor të Iranit, të luftojë me vendosmërinë e njëjtë si në rastin e likuidimit të liderit të Al Kaedës, Osama bin Laden, deklaroi këshilltari i presidentit amerikan për siguri kombëtare, Tom Donilon në fjalimin para Institutit të Uashingtonit për politikë në Lindjen e Afërt.

Sipas Donilonit, likudimi i liderit të Al Kaedës ka dërguar porosi të fuqishme ndaj miqve dhe ndaj kundërshtarëve të SHBA-së. “Ne e realizojmë atë që e premtojmë”, shtoi ai.

“Kërkimi i qetë dhe me vendosmëri pas Bin Ladenit, nuk është shembulli i vetëm për atë se në rastin e presidentit Barak Obama, fjalët nuk dallohen nga veprat”, tha Donilon dhe shtoi se kjo vlen edhe për Iranin.

Donilon theksoi se Obama i kupton pasojat rajonale dhe ndërkombëtare nga shndërrimi i Iranit në shtet, i cili posedon armë bërthamore, për të cilin shkak Uashingtoni angazhohet që Teherani të pengohet në tentimet që të prodhojë armë bërthamore.

“Derisa Irani nuk i respekton obligimet e veta nga Marrëveshja për moszgjerimin e armës bërthamore dhe të gjitha rezolutat e Këshillit të sigurisë së Kombeve të Bashkuara, do të vazhdojmë ta përforcojmë presionin ndaj Teheranit”, shtoi Donilon.

Ai, megjithatë, shtoi se dera e diplomacisë edhe më tej mbetet e hapur ndaj Iranit, por vetëm nëse ajo është efikase dhe nëse nuk bëhen tentime taktike për pengimin e sanksioneve të mëtejshme.

Këshilltari i Obamës e akuzoi Iranin edhe për atë se merret me aktivitete destabilizuese në Lindjen e Afërt, duke përfshirë këtu Irakun, Sirinë dhe Libanin.