Lajme Shqip Wednesday, 16 May 2012 13:00

Ish-kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominique Strauss-Kahn, kundërpaditi shërbyesen e hotelit që e akuzoi për ngacmim seksual, duke kërkuar prej saj një dëmshpërblim prej një milionë dollarësh për prishje imazhi.

Strauss-Kahn u ndalua në Nju Jork në maj 2011, pasi shërbyesja Natissatou Diallo deklaroi se 62-vjeçari, i konsideruar nga sondazhet në atë kohë si pretendenti më i fortë në atë kohë për të mposhtur Nicolas Sarkozy në zgjedhjet e Francës, e kishte detyruar të kryenin marrëdhënie seksuale me forcë në suitën e tij.

Pavarësisht se Strauss-Kahn u vendos përpara drejtësisë amerikane, ai u lirua më pas nga akuzat për shkak të mungesës së besueshmërisë së Diallo.

Megjithatë, skandali dëmtoi përfundimisht reputacionin e Strauss-Kahn, duke u detyruar t’i jepte fund përfundimisht karrierës së tij politike.

Ndonëse vendimi i gjykatës pezulloi çështjen, shërbyesja vendosi të mos e linte me kaq betejën e saj gjyqësore, duke hapur një padi civile, në të cilën kërkonte dëmshpërblim prej 62-vjeçarit, që këtë të martë u përgjigj me një kundërpadi, në të cilën kërkon një milion dollarë dëmshpërblim për dëmtim imazhi.

Aktualisht, Strauss-Kahn është duke u ndjekur në një çështje tjetër nga drejtësia franceze, si i dyshuar për përfshirje në një rrjet prostitucioni në Francë.