Lajme Shqip Tuesday, 03 May 2011 16:54

Uashington – Qindra dokumente të fshehta amerikane kushtuar Osama Bin Ladenit janë publikuar në internet. Dokumentet janë nga arkivi i institutit të pavarur hulumtues “Siguria kombëtare”, me seli në universitetin amerikan “Xhorxh Uashington”.

Në këto dokumente ka  edhe portret të hollësishëm të Bin Ladenit, i cili të dielën ishte vrarë në Pakistan.

Dokumentet mund të merren nga www.nsarchive.org. Portreti i Bin Ladenit është në bazë të raportit të përgatitur nga Agjencia qendrore e zbulimit (CIA) në vitin 1996.

Në faqen e internetit ka edhe një raport nga muaji gusht i vitit 2001 në të cilin theksohet  se “Bin Ladeni është i vendosur për ta sulmuar SHBA-në”.

“Informatat e besueshme janë nga qeveritë e huaja dhe mediat dhe tregojnë se Bin Ladeni  mendon për sulme në SHBA që prej vitit 1997”, thuhet në dokument.

Në një dokument tjetër të 13 shtatorit të vitit 2001, ndihmës sekretari amerikan i shtetit Riçard Armitixh shkruan se Bin Ladeni është përgjegjës për sulmet terroriste të 11 shtatorit dhe se Pakistani duhet të ndihmojë për eliminimin e tij.