Lajme Shqip Monday, 07 January 2013 20:03

Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik ka gjetur një zgjidhje më efikase se ajo e Serbisë për serbët e Kosovës, të cilët i ka ftuar që të shkojnë në këtë pjesë të Bosnjës për të jetuar.

Ai ka theksuar se serbët në Kosovë nuk kanë punë, ndërkohë që në Bosnje do të kishin më tepër. “Ne si fillim do të mund t’u ofronim atyre toka dhe do t’i ndihmonim në ndërtimin e shtëpive”, ka thënë Dodik.

Ka ardhur koha për një kufizim përfundimtar mes serbëve dhe shqiptarëve, ka theksuar ai në një intervistë për të përditshmen beogradase “Bllic”, duke shtuar se, me shqiptarët nuk mund të ndërtohet një bashkëjetesë.

“Politika për Kosovën duhet të jetë politika dy shtete për dy popuj”, ka thënë presidenti Dodik, i cili në Bosnje kontrollon një pjesë të madhe të territorit dhe ka kërcënuar disa herë me referendum për ndarje.

Dodik është një nga politikanët serbë të Bosnjës që nuk lejon këtë shtet të njohë pavarësinë e Kosovës, por edhe ndikon që marrëdhëniet zyrtare me Bosnjën të jenë në një nivel më të ulët komunikimi se sa vet marrëdhëniet Kosovë-Serbi. (T.CH/LajmeShqip.com)