Lajme Shqip Friday, 25 November 2011 10:52

Tripoli – Djali i ish liderit libian Moamer Gadafi, Saif al Islam, duhet të operohet për shkak të gangrenës, e cila ia përfshiu pëllëmbën në vendet ku i janë këputur gishti i madh dhe treguesi, deklaroi dje mjeku që e kontrolloi.

Saif (39) mori lëndim në gishtat e dorës së djathtë gjatë bombardimeve para disa javëve.

“Kjo plagë nuk është e mirë dhe është i domosdoshëm amputimi”, deklaroi Andrej Murakovski, mjeku i cili punon në Zintan.

Murakovski, i cili lindi në Ukrainë, para tri ditëve kontrolloi Saifin dhe atëherë deklaroi se nëse  nuk operohet, ai mund të sëmuret seriozisht.

“Treguesi i tij është këputur, eshtrat janë shtypur… Po ashtu edhe me gishtin e madh”, deklaroi Murakovski.

Intervenimi kirurgjik, i cili është i domosdoshëm, është i thjeshtë dhe mund të kryhet edhe në Zintan me anestezi lokale, theksoi Murakovski.

Luftëtarët nga Zintani, të cilët e mbajnë Saifin në robëri, nuk dëshirojnë ta transferojnë në spital nga druajtja se dikush mund ta vrasë.