Lajme Shqip Thursday, 14 March 2013 16:30

Vatican – Papa Françesku i Parë, papa i parë nga Amerika Latine, e filloi ditën e tij si kreu i Kishës Katolike Romane, me lutje në një kishë të njohur të Romës, Basilica e Santa Maria Maggiores.

Më vonë gjatë ditës, ai drejtoi një meshë private në Kapelën Sistine, me kardinalët, të cilët e zgjodhën atë dje. Ai ka në plan të takojë së shpejti paraardhësin e tij Papa Benediktin, i cili u largua muajin e kaluar nga posti dhe po qëndron tani tek rezidenca papale verore në periferi të Romës.

Papa Françesku është jezuiti i parë që zgjidhet në këtë pozitë dhe papa i parë që merr emrin Françesku. Udhëheqësit nga e gjithë bota e kanë uruar papën e ri, parë kardinali Horhe Bergoglio i Argjentinës për zgjedhjen e tij.

 

Papa 76-vjeçar vuri gjithashtu në dukje se kolegët e tij kardinalë kërkuan gjithë botën për të gjetur pasuesin e Papa Benediktit, tashmë në pension.
 
Papa i ri, i lindur në Buenos Ajres në një familje imigrantësh italianë, e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në Argjentinë. Pasi mori mastër në Kimi nga Universiteti i Buenos Ajresit, ai vendosi të bëhej jezuit. Ai u shugurua prift në vitin 1969.
 
Pasi dha mësim për vite me radhë në shkollën dhe seminaret katolike, si dhe pasi shpenzoi kohë duke konsultuar priftërinjtë, ai u bë kryepeshkop i Buenos Ajresit në vitin 1998 dhe kardinal në vitin 2001.
 
Në konklavin e vitit 2005 për zgjedhjen e Papa Benediktit, Kardinali Bergolio thuhet se ishte i dyte për nga numri i votave.
 
Ai është njohur për jetën e tij të thjeshtë dhe për doktrinën e tij konservatore. Në vitin 2010, kur Argjentina u bë vendi i parë i Amerikës Latine që legalizoi martesat e të njejtin sekses, Kardinali Bergolio i inkurajoi klerikët në gjithë vendin të nxisnin katolikët të hidheshin në protesta. Ai tha se legalizimi i martesave të homoseksualëve do të dëmtonte familjen.
 
Ai u akuzua gjithashtu edhe për pjesëmarrjen në rrëmbimin në vitin 1976 të dy priftërinjëve jezuitë liberalë në periudhën e regjimit ushtarak në Argjentinë, akuzë që ai e ka hedhur poshtë kategorikisht.
 
Por Bergolio është njohur edhe si mbrojtës i fortë i të varfërve. Edhe pse ai e ka kundërshtuar homoseksualitetin, ai ka bërë thirrje që ata të respektohen. Rreth 10 vjet më parë, ai vizitoi një strehë për viktimat e HIV-AIDS dhe puthi dhe u lau këmbët disa prej pacientëve atje.
 
Amerika Latine ka popullatën më të madhe katolike nga 1.2 miliardë besimtarët katolikë të botës, me numrin më të madh në Brazil dhe Meksikë.(VOA/LajmeShqip.com)