Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 12:00

Bangkok – Diplomatët izraelitë kanë qenë qëllimi i komplotit të organizuar nga tre iranianë, prej të cilëve njëri u plagos rëndë gjatë shpërthimeve të djeshme në Bangkok, kumtoi sot një përfaqësues i lartë i hetimit tajlandez.

“Tre iranianët janë një grup vrasësish, qëllimi i të cilëve kanë qenë disa diplomatë izraelitë, duke përfshirë edhe ambasadorin. Plani i tyre ka qenë ta vendosnin bombën në automjetin diplomatik”, kumtoi përfaqësuesi i hetimit tajlandez.

Dje një person me pasaportë iraniane u lëndua rëndë në këmbë gjatë serisë së shpërthimeve në Bangkok, të cilat Izraeli menjëherë i lidhi me atentatet në Indi dhe Gjeorgji nga e hëna dhe më pas për to akuzoi Iranin, theksojnë mediat franceze.

Më vonë një shtetas iranian është arrestuar në aeroportin e Bangkokut, ndërsa i treti ka arritur të arratiset në Malajzi, kumtoi policia tajlandeze.

Dy iranianët e arrestuar në Bangkok, me siguri i kanë planifikuar sulmet kundër disa personave të caktuar, por nuk kanë patur mundësi dhe mjete për atentate mbi shumë njerëz ose ndërtesa të mëdha, transmetuan mediat amerikane, duke cituar shefin e Këshillit tajlandez për siguri kombëtare, Viçian Podfosri.

Autoritetet po hetojnë nëse ka lidhje midis shpërthimeve të djeshme në Bangkok dhe shpërthimet e të hënës në Indi dhe Gjeorgji, theksojnë agjencitë.

Zëdhënësi i Ministrisë iraniane të Punëve të Jashtme mohoi se Irani ka lidhje me shpërthimin në Bangkok dhe për këtë akuzoi “elemente, lidhur me regjimin cionist”, transmetuan mediat franceze, të cilat citojnë televizionin shtetëror iranian.

Ambasadori izraelit në Tajlandë, Icak Shoham sot në mëngjes deklaroi se shpërthimet, e zbuluara në një shtëpi me qera në Bangkok, janë të ngjashme me ato të përdorura në sulmet e ditës së hënë mbi diplomatët izraelitë në Indi dhe Gjeorgji, transmetuan mediat amerikane.